Eurokomisionerja për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Marta Kos, ka dërguar një mesazh të qartë për Maqedoninë e Veriut në prag të vizitës së saj në Shkup, duke theksuar se vendi ndodhet përballë një mundësie historike për t’u afruar me Bashkimin Evropian, por se përparimi varet nga përmbushja e detyrimeve të marra përsipër.
Në një intervistë për Agjencinë Informative Mediatike (MIA), Kos tha se procesi i zgjerimit po hyn në një fazë të re dhe se vendet që zbatojnë reformat dhe respektojnë obligimet e tyre po avancojnë më shpejt drejt anëtarësimit.
“Tani kemi një mundësi që ndodh vetëm një herë në një brez për ta realizuar zgjerimin. Kjo vjen me zgjedhje të qarta. Ata që i përmbushin detyrimet e tyre përparojnë. Ata që nuk i përmbushin mbeten prapa. Në momente përshpejtimi, stagnimi do të thotë në fakt prapakthim”, deklaroi Kos. Ajo përmendi Malin e Zi dhe Shqipërinë si shembuj të vendeve që po ecin përpara në procesin eurointegrues falë zbatimit të reformave.
Eurokomisionerja vlerësoi se Maqedonia e Veriut ka shënuar progres të rëndësishëm në zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke u renditur ndër vendet udhëheqëse të rajonit. Sipas saj, Komisioni Evropian po vlerëson performancën e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe financimi shtesë do të orientohet drejt atyre që arrijnë rezultate më të mira. “Logjika e mbështetjes sonë financiare është e thjeshtë: sa më shumë që një vend i përmbush reformat, aq më shumë mbështetje merr”, tha Kos. Ajo shtoi se Maqedonia e Veriut ka dëshmuar se është në gjendje të zbatojë reforma dhe se kjo duhet të vazhdojë edhe në fazën e negociatave të anëtarësimit.
Duke komentuar qëndrimin e Qeverisë se nuk do të pranojë ndryshime kushtetuese pa garanci se ato do të jenë kërkesa e fundit në rrugën drejt BE-së, Kos theksoi se procesi i zgjerimit funksionon mbi bazën e përmbushjes së detyrimeve dhe ndërtimit të besimit mes vendeve kandidate dhe shteteve anëtare. Ajo nënvizoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore janë pjesë përbërëse e këtij besimi dhe se përmbushja e obligimeve është mënyra më e mirë për të siguruar avancimin në negociata. “E vërteta është se asnjë vend kandidat nuk ka marrë ndonjëherë garanci se gjatë procesit të anëtarësimit nuk do të paraqiten çështje të tjera deri në ratifikimin e marrëveshjes së anëtarësimit nga të gjitha shtetet anëtare. Kjo është mënyra se si funksionon zgjerimi i Bashkimit Evropian”, theksoi ajo.
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski se në takimet me liderët evropianë është diskutuar për garanci të mundshme lidhur me procesin e integrimit, Kos tha se mbështetja e liderëve evropianë për zgjerimin është në rritje, por se vendimmarrja mbetet kompetencë e përbashkët e të 27 shteteve anëtare. ipas saj, garancia më konkrete që ka aktualisht Maqedonia e Veriut është ajo që tashmë është përcaktuar në Kornizën Negociuese. “Pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese, do të mbahet konferenca e ardhshme ndërqeveritare. Pas këtij hapi, besoj se Maqedonia e Veriut natyrshëm do t’u bashkohet vendeve udhëheqëse – Malit të Zi, Shqipërisë, Moldavisë dhe Ukrainës”, deklaroi eurokomisionerja.
Ajo mes tjerash tha se procesi i anëtarësimit kërkon kohë. “Por në botën e sotme, Bashkimi Evropian nuk mund të përballojë të presë shumë gjatë. Jam e lumtur që shoh se udhëheqësit evropianë po e udhëheqin këtë debat. Duhet të gjejmë mënyra për ta afruar BE-në me qytetarët e ardhshëm shumë më herët. Nuk mund t’u kërkojmë qeverive të zbatojnë reforma të vështira për vite me radhë nëse njerëzit nuk shohin përfitime të qarta. Prandaj po kërkojmë mënyra të reja për integrimin e vendeve kandidate para anëtarësimit. Maqedonia e Veriut tashmë është pjesë e SEPA-s, gjë që i ul kostot për qytetarët dhe bizneset. Gjithashtu, duam t’i zgjerojmë përfitimet e roaming-ut të BE-së edhe në Ballkanin Perëndimor. Maqedonia e Veriut është gjithashtu plotësisht pjesë e programit Erasmus+”, tha mes tjerash eurokomisionerja.
Kos pritet të zhvillojë sot në Shkup takime me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve, ku në fokus do të jenë rruga evropiane e vendit dhe zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.





