Ministria e Financave ka kryer transferimin e 148,6 milionë denarëve të rinj, ose 2,4 milionë eurove, drejt Bankës Zhvillimore, ndërsa mjetet janë dedikuar për mbështetjen e investimeve në kompanitë vendore.
Me transferimin e fundit nga Buxheti qendror drejt Bankës Zhvillimore, shuma e përgjithshme e mjeteve të vendosura në ekonominë vendore për realizimin e investimeve nga kompanitë arrin në 14,5 miliardë denarë, ose 235,8 milionë euro.
Buxheti i përgjithshëm për mbështetjen e kompanive vendore, i paraparë në Buxhet, arrin në 250 milionë euro, ndërsa vlera e ciklit investues vlerësohet në rreth 300 milionë euro.
Mjetet e siguruara nga Qeveria dhe të vendosura në dispozicion të kompanive vendore me kushte të favorshme kanë për qëllim realizimin e investimeve private, të cilat do të mundësojnë zhvillimin e tyre dhe nxitjen e rritjes ekonomike. Mjetet shpërndahen deri te përfituesit përfundimtarë përmes bankave komerciale. Norma e interesit është 1,95 për qind në vit, afati i kthimit është deri në 15 vjet, ndërsa periudha grejs është deri në 3 vjet, kumtoi Ministria e Financave.





