EKSKLUZIVE e ORA24.TV / Përplasje brenda VLEN-it për Ministrinë e Drejtësisë, Jeton Shasivari dhe Bashkim Bakiu në garë të ashpër!

Advertisement

Në prag të rikonstruimit të Qeverisë, brenda koalicionit VLEN po zhvillohet një garë e fortë për drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, një nga dikasteret më të rëndësishme që pritet t’i takojë këtij koalicioni.
Burime të Ora24.tv bëjnë të ditur se negociatat për emrin e ministrit të ri janë shoqëruar me përplasje dhe lobime të forta brenda strukturave të VLEN-it.
Sipas këtyre burimeve, kandidatura e profesorit Jeton Shasivari, një prej ekspertëve të angazhuar në hartimin e Propozim-ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, mbështetet nga ish-strukturat e LD-së, si dhe nga Bilall Kasami dhe Bekim Sali.
Në anën tjetër, nënkryetarja Mimoza Musa, nga ish-ASH, me mbështetjen e Adnan Azizit, po lobon që në krye të Ministrisë së Drejtësisë të emërohet Bashkim Bakiu.
Burimet theksojnë se pikërisht këto mospajtime kanë ndikuar që VLEN ende të mos i zyrtarizojë emrat e ministrave të rinj.
Pas rikonstruimit të Qeverisë, VLEN pritet të drejtojë edhe tri ministri: Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Sistemit Politik.
Mbetet të shihet se cili prej kandidatëve do ta fitojë mbështetjen përfundimtare dhe do të ulet në karrigen e ministrit të Drejtësisë./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit