Në mesazhin e tij për 1 Majin, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka theksuar se qeverisja e koalicionit VLEN nuk do t’i përsërisë premtimet boshe të së kaluarës. Ai në rrjetet sociale ka shkruar se ka ardhur për të rikthyer dinjitetin e humbur të punëtorëve në vendin e punës, duke respektuar djersën dhe mundin e atyre që punojnë ndershëm çdo ditë.
Durmishi u shpreh i vetëdijshëm për kërkesat e sindikatave dhe theksoi rëndësinë e dialogut të sinqertë dhe reformave të guximshme për zgjidhjen përfundimtare të problemeve të punëtorëve. Ai theksoi se punëtorët nuk duhet të jenë viktima të politikave që varen nga ciklet zgjedhore.
„Dinjiteti i punës dhe paga minimale duhet të garantohen nga një model ekonomik i qëndrueshëm dhe jo nga interesat politike momentale. VLEN ka ardhur për të vepruar, jo për të folur“, tha Durmishi.