Diplomacia rinore për bashkëpunim ndërshqiptar – “Të rinjtë duhet të kenë rol më të madh në politikë dhe vendimmarrje”

Advertisement

Bashkëpunimi ndërshqiptar nuk duhet të mbetet vetëm në deklarata politike, por të shndërrohet në projekte konkrete në arsim, kulturë, ekonomi dhe fuqizimin e të rinjve.

Ky ishte mesazhi i konferencës rajonale “Diplomacia rinore si instrument i bashkëpunimit ndërshqiptar dhe integrimit evropian”, që u mbajt në Shkup.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues politikë, akademikë dhe të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.

Në panelin kushtuar lidershipit politik dhe ndërtimit të një qasjeje të përbashkët ndërshqiptare, kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, tha se bashkëpunimi nuk duhet të mbetet vetëm slogan patriotik apo fotografi të përbashkëta.

“Bashkëpunimi kombëtar nuk mund të mbetet veç slogan patriotik. Nuk mund të mbetet veç fotografi të përbashkëta apo deklarata politike. Ai duhet të shndërrohet në politika të zbatueshme, projekte të përbashkëta dhe rezultate të prekshme që i ndiejnë qytetarët, e veçanërisht të rinjtë shqiptarë kudo që jetojnë. Nëse duam të ndërtojmë një agjendë të përbashkët, duhet të fillojmë nga ato fusha që na bashkojnë më shumë se sa na ndajnë”, tha Izet Mexhiti.

Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, u shpreh se dallimet politike dhe ideologjike nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin për çështjet madhore.

“Ne mund të jemi kundërshtar politik, mund të mendojmë ndryshe. Disa besojnë te e majta, disa te e djathta por deri këtu, përtej kësaj, kur vinë puna të gjëra madhore në duhet të jemi bashkë. Kur vjen puna për gjëra thelbësore për kombin tonë duhet të jemi bashkë. Dhe përpara se të përplasemi ideoligjikisht me njëri tjetrin se këtu ka përfaqësues nga ideologji të ndryshme, unë mendoj se të gjithë bashkë përballë të gjithë atyre që na vjedhin. Sepse duke derisa vidhet Shqipëria, vidhet edhe Shkupi” tha Adriatik Lapaj.

Në diskutimet për rolin e të rinjve në proceset politike, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, tha se ndryshimet shoqërore historikisht janë arritur përmes angazhimit aktiv qytetar dhe jo vetëm përmes përfaqësimit periodik në zgjedhje.

“Nuk u fituan këto të drejta me përfaqësim një herë apo me një votë një herë në katër vite, por përkundrazi, të gjitha këto të drejta madhore si e drejta e votës u fituan pas dekadash protestash, peticionesh dhe organizimesh të ndryshme.
Të drejtat e punëtorëve për pagën minimale, sigurinë në punë, po ashtu u arritën vetëm pas protestave masive, grevave radikale dhe krijimit të sindikatave.

Dhe kjo, pra, sipas mendimit tim, është zgjidhja që duhet ta ndjekim si të rinj, si përfaqësues politikë, që të kërkojmë sa më shumë përfshirje politike të qytetarëve dhe jo të vetëkënaqemi me përfaqësim politik një herë në katër vite”, tha Egzon Azemi

Pjesëmarrësit vlerësuan se përfshirja e të rinjve në politikë dhe krijimi i urave të bashkëpunimit rajonal janë elemente të rëndësishme për një qasje të përbashkët ndërshqiptare dhe për proceset integruese evropiane.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit