Bojaxhieva Markovska kritikon ashpër urbanizimin në Komunën Qendër, duke ngritur shqetësime për ndërtimet e pakontrolluara, mungesën e çerdheve dhe hapësirave të gjelbra.
Vodno po humbet gjithnjë e më shumë hapësirat e gjelbra, ndërsa ndërtesat po ngrihen pranë njëra-tjetrës. Kështu ka reaguar Bojaxhieva Markovska, e cila ka drejtuar kritika ndaj kryetarit të Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, për atë që e cilëson si neglizhencë urbanistike dhe zgjerim të pakontrolluar të ndërtimeve.
Ajo ka ngritur shqetësimin për mungesën e hapësirave për fëmijë, si dhe për kapacitetet e pamjaftueshme në çerdhe dhe në shkollën “Koço Racin”, duke kërkuar nga Gerasimovski të dalë në terren dhe të përballet me problemet e banorëve.
Sipas Markovskës, problemi nuk kufizohet vetëm në Vodno, por prek të gjithë territorin e Komunës Qendër. Ajo akuzon udhëheqjen komunale se prioritet po u jep interesave ndërtimore, në vend të mbrojtjes së hapësirave publike, mjedisit dhe interesave të qytetarëve.
“Vodno nuk është parcelë ndërtimi, ndërsa Qendra nuk është arkë partiake e LSDM-së”, është mesazhi i saj, përmes të cilit kërkon projekte konkrete, afate dhe zgjidhje për problemet me të cilat përballen banorët.
Markovska thekson se qytetarët kanë nevojë për shkolla, çerdhe, gjelbërim dhe hapësira për jetë, e jo vetëm për ndërtesa të reja dhe premtime politike.








