ASH: Bërvenica dëshmoi se pajtimi është i mundur, koha për bashkim është tani

Advertisement

Aleanca për Shqiptarët, përmes një komunikate, ka vlerësuar se zhvillimet në Bërvenicë përçojnë një mesazh të rëndësishëm për tejkalimin e ndasive dhe afrimin e faktorit politik shqiptar. Nga ASH theksojnë se dallimet dhe mospajtimet e së kaluarës nuk duhet të jenë pengesë për bashkëpunim, duke bërë thirrje për dialog dhe pajtim me të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të kësaj partie.

Reagimi i plotë:

Bërvenica dje dha një mesazh që shkon përtej një rezultati zgjedhor. Ajo dëshmoi se dallimet e së kaluarës nuk duhet të jenë pengesë për bashkëpunim dhe se aty ku ekziston vullneti, mund të gjendet edhe rruga e pajtimit, theksohet në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët.

Dy vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta për Aleancën për Shqiptarët. Kemi përjetuar ndarje, mospajtime dhe largime të njerëzve që për vite me radhë ndërtuan së bashku këtë subjekt politik.

Disa vendosën të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në Qeveri, duke e arsyetuar këtë vendim me ruajtjen e posteve dhe të përfaqësimit politik. Tani, pas gjithë atyre zhvillimeve, është e natyrshme të shtrohet pyetja: çfarë mbeti nga ato premtime dhe sa u përfaqësuan realisht njerëzit që besuan në to?

Ndjenja e të qenit të lënë pas dore, pa përfaqësim dhe të nëpërkëmbur nuk duhet të shpërfillet. Ajo meriton të dëgjohet dhe të trajtohet me seriozitet.

Por mospajtimet politike nuk duhet t’i shkatërrojnë miqësitë, respektin dhe gjithçka që është ndërtuar ndër vite. Askush nuk duhet të gjykohet përgjithmonë për një vendim politik të së kaluarës.

Bërvenica është shembulli se pajtimi është i mundshëm. Se njerëzit mund të ulen sërish bashkë, të bisedojnë dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët, edhe pas ndarjeve më të vështira.

Aleanca për Shqiptarët mbetet e hapur për dialog me të gjithë ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit të saj, pa paragjykime, pa kushtëzime personale dhe pa ndasi.

Koha e pajtimit është tani.

Sepse historia e përbashkët nuk fshihet nga dy vite mospajtimesh dhe respekti për njëri-tjetrin duhet të jetë më i fortë se çdo post politik.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit