Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), me rastin e 2 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Dhënien Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve kundër Gazetarëve, rikujton se pa reagim efikas institucional dhe drejtësi në kohë, çdo sulm i pandëshkuar ndaj gazetarëve përbën kërcënim për lirinë e mediave dhe të drejtën e publikut për t’u informuar.
“Siguria e gazetarëve nuk është vetëm çështje e sigurisë personale të punonjësve mediatikë, por edhe parakusht për gazetari të lirë dhe profesionale. Kur gazetarët përballen me kërcënime, dhunë, presione apo sulme të organizuara në internet, ndërsa autorët nuk përballen me pasoja, krijohet një atmosferë frike dhe përcillet mesazhi se sulmet ndaj punonjësve mediatikë mund të mbeten të pandëshkuara”.
“SHGM gjatë viteve të fundit ka evidentuar disa përparime pozitive në reagimin institucional, veçanërisht në disa nga rastet më të fundit të sulmeve fizike. Megjithatë, pandëshkueshmëria dhe zvarritja e procedurave vazhdojnë të mbeten probleme serioze. Disa raste prej vitesh nuk kanë marrë zgjidhje përfundimtare, ndërkohë që po shtohen kërcënimet në internet, ngacmimet dhe fushatat për diskreditimin e gazetarëve, veçanërisht të gazetareve”, thonë nga SHGM.
Ata presin që Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria Publike dhe gjykatat të veprojnë në kohë, në mënyrë të koordinuar dhe efikase në të gjitha rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.
“Reagimi institucional nuk guxon të përfundojë vetëm me denoncimin e rastit apo nisjen e hetimeve. Ai duhet të çojë në zbardhjen e fakteve, identifikimin e autorëve dhe sanksionimin e tyre të duhur në përputhje me ligjin. Është veçanërisht e rëndësishme që dhuna digjitale të mos trajtohet si një formë më pak serioze e sulmit. Kërcënimet përmes rrjeteve sociale, fushatat e organizuara për diskreditim dhe gjuha e urrejtjes mund të ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e gazetarëve dhe gatishmërinë e tyre për të raportuar lirshëm në interes të publikut”.
“Më 2 nëntor, SHGM rikujton se koha nuk guxon ta zëvendësojë drejtësinë. Çdo sulm i pazbardhur nuk është thjesht një rast i pazgjidhur, por edhe një sinjal i mundshëm për autorët e ardhshëm se dhuna ndaj gazetarëve mund të mbetet pa pasoja. Presim rezultate të matshme nga Komiteti Kombëtar”.
“Në këtë kontekst, SHGM përshëndet vendimin për formimin e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, në të cilin parashihet të marrë pjesë edhe SHGM. Komiteti duhet të shërbejë si mundësi për koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe komunitetit mediatik, por edhe për përmirësimin sistematik të sigurisë së gazetarëve”.
“Megjithatë, për SHGM-në, vlera e tij do të matet vetëm përmes rezultateve konkrete. Plani Kombëtar i Veprimit duhet të përmbajë detyrime të qarta, afate dhe tregues të matshëm për institucionet, si dhe një mekanizëm për ndjekjen dhe raportimin e rregullt të zbatimit të tij. Vetëm në këtë mënyrë Komiteti mund të shndërrohet në një mekanizëm efikas dhe jo të mbetet thjesht një organ formal koordinues”.
“SHGM vlerëson se në këtë proces është e domosdoshme përfshirja aktive e Prokurorisë Publike dhe e gjyqësorit, pasi pa pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë nuk mund të sigurohet një përgjigje e plotë institucionale ndaj sulmeve kundër gazetarëve. Mbrojtja nuk përfundon me reagimin e policisë. Ajo nënkupton veprim në kohë nga prokuroria dhe zgjidhje efikase gjyqësore”, thonë nga SHGM.








