Pas vendimit të sotëm ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, vëmendja tashmë është te procedura e apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Trupi Gjykues i shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin për disa akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.
Rasti i Ante Gotovinës
Një nga rastet më të njohura të ndryshimit të një vendimi në apel në historinë e drejtësisë penale ndërkombëtare është ai i gjeneralit kroat Ante Gotovina.
Gotovina ishte dënuar në shkallën e parë më 15 prill 2011 me 24 vjet burgim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë operacionit “Stuhia”.
Rreth 19 muaj më vonë, më 16 nëntor 2012, Paneli i Apelit e shpalli atë të pafajshëm dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm. Vendimi u mor me shumicë votash 3 me 2.
Cilat janë hapat e radhës?
Në Dhomat e Specializuara, procesi i apelit zhvillohet përmes disa fazave dhe afateve të përcaktuara.
Mbrojtja dhe prokuroria kanë 30 ditë nga marrja e aktgjykimit të plotë me shkrim për të paraqitur njoftimin për ankesë.
Pas kësaj, palët kanë 60 ditë për të dorëzuar parashtrimet e plota me shkrim, ku paraqiten argumentet për vendimin që kundërshtohet.
Më pas zhvillohen seancat para Panelit të Apelit, i cili përbëhet nga tre gjyqtarë. Apeli nuk e zhvillon procesin nga fillimi dhe nuk i merr dëshmitë e dëshmitarëve përsëri, por shqyrton pretendimet për gabime në zbatimin e ligjit dhe gabime të rënda faktike.
Për shkak të kompleksitetit dhe vëllimit të çështjes, procesi i apelit mund të zgjasë për një periudhë të konsiderueshme, ndërsa vendimi përfundimtar mund të merret edhe pas disa vitesh.






