Delegacioni i organizatës Albanians for America (AFA), i përbërë nga Gino Mulliqi, Gëzim Rushiti dhe Janinë Memeti, ka zhvilluar një takim me të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Gjatë takimit, palët kanë riafirmuar partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke diskutuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Temat kryesore të diskutimit përfshinë zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, zhvillimin e sektorit të energjisë, përfshirë projektet e gazit natyror të lëngshëm (LNG), si dhe krijimin e vendeve të reja të punës përmes investimeve strategjike, transmeton KultPlus.
Përfaqësuesit e AFA-së theksuan rëndësinë e institucioneve të fuqishme dhe qeverisjes së qëndrueshme për rritjen e besimit të investitorëve dhe avancimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Në takim u diskutua edhe për nevojën e rifillimit të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një mekanizëm për koordinim më të thellë në fushat e sigurisë, ekonomisë, energjisë, investimeve dhe zhvillimit institucional.
Delegacioni i AFA-së vlerësoi gjithashtu rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar kontributin e tij në krijimin e urave të bashkëpunimit dhe mundësive të reja për zhvillim.
Në fund të takimit, përfaqësuesit e AFA-së shprehën mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës dhe riafirmuan angazhimin e organizatës për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Kosovë–SHBA./KultPlus.com






