Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetes së Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, e cila gjatë seancës parlamentare iu drejtua kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi me fjalët: “Shpresoj të mos vazhdosh të lexosh në gjuhën arabe edhe më tutje.”
Duke shpërndarë videon që publikoi Zyrtare.net gjatë ditës, deputetja Saliu thekson se gjatë afro dy viteve të mandatit të saj si deputete ka shmangur reagimet ndaj veprimeve individuale të kolegëve, duke preferuar të flasë për çështje me interes publik. Megjithatë, ajo vlerëson se ky është një rast kur heshtja nuk është zgjidhje.
Saliu kërkon nga Dauti të sqarojë publikisht se çfarë ka dashur të nënkuptojë me këtë shprehje, duke pyetur nëse bëhej fjalë për një bindje personale, një figurë retorike apo diçka tjetër.
Sipas deputetes së VLEN-it, mënyra se si është bërë deklarata lë hapësirë të perceptohet si fyese për shumë njerëz, ndaj ajo vlerëson se një sqarim publik është i domosdoshëm për të shmangur dilemat rreth domethënies së saj.
“Neve, si kolegë në Kuvend, por edhe opinionit publik, na detyrohet një sqarim”, shkruan Saliu në reagimin e saj.






