Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, ka zhvilluar një vizitë pune në Pikën Kufitare Dojran, ku nga afër është njohur me funksionimin e pikës, qarkullimin ndërkufitar dhe kushtet në të cilat punojnë nëpunësit doganorë.
Gjatë vizitës, Dauti ka zhvilluar takime me stafin në terren, me ç’rast është informuar për procedurat e kontrollit, organizimin e punës dhe sfidat me të cilat përballen punonjësit gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte sigurimi i kontrolleve efikase për parandalimin e veprimtarive të paligjshme, duke mundësuar njëkohësisht qarkullim sa më të rregullt të qytetarëve dhe mallrave.
Duke folur për vizitën, Dauti theksoi rëndësinë e Pikës Kufitare Dojran për qarkullimin mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
“Pika Kufitare Dojran përbën një nyje të rëndësishme për qarkullimin e udhëtarëve dhe zhvillimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Bisedat e drejtpërdrejta me stafin në terren janë kyçe për të kuptuar nevojat reale. Do të vazhdojmë të punojmë për forcimin e kapaciteteve, përmirësimin e kushteve të punës dhe ofrimin e shërbimeve sa më efikase për qytetarët dhe bizneset”, deklaroi Dauti.
Nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur se vizita është pjesë e angazhimeve për përmirësimin e funksionimit të pikave kufitare dhe mbështetjen e punonjësve që kryejnë detyrat në terren.






