Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, së bashku me ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Martin Pammer, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave, kanë inspektuar dëmet e shkaktuara në shenjat dimërore përgjatë shtegut nga Kodra e Diellit deri te Maja e Titos.
Gjatë vizitës në terren, Kasami u shpreh se dëmtimi i shenjave paraqet një veprim të papërgjegjshëm ndaj natyrës dhe pasurisë së përbashkët. Ai theksoi se ruajtja e zonave turistike të Sharrit është e rëndësishme për zhvillimin e turizmit malor.
“Së bashku me ambasadorin e Austrisë, z. Martin Pammer, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave dolëm në terren për të parë nga afër dëmet e shkaktuara, respektivisht prishjen e shenjave dimërore përgjatë shtegut nga Kodra e Diellit deri te Maja e Titos”, ka shkruar Kasami.
Sipas tij, në bashkëpunim me Parkun Nacional, ambasadorin austriak dhe institucionet përkatëse, do të vazhdojnë aktivitetet për mirëmbajtjen e zonës dhe investimet në zhvillimin e turizmit malor.
“Vendet turistike dhe në përgjithësi Sharrin duhet ta mbrojmë dhe ta ruajmë së bashku, sepse është pasuri e përbashkët dhe pjesë e rëndësishme e zhvillimit të turizmit. Së bashku me Parkun Nacional, ambasadorin austriak dhe të gjitha institucionet do të vazhdojmë të përkujdesemi dhe të investojmë në zhvillimin e turizmit malor dhe krijimin e kushteve sa më të mira për turistët”, ka shkruar Kasami.






