Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në Bruksel është takuar me Komisionerin Evropian për Punë të Brendshme dhe Migracion, Magnus Brunner, me të cilin ka diskutuar për sfidat që sistemi Entry/Exit dhe rregulli 90/180 ditë krijojnë për shoferët profesionistë nga Maqedonia e Veriut dhe tregtinë me Bashkimin Evropian.
“Kërkojmë dialog dhe zgjidhje praktike, të shpejta, që ruajnë sigurinë, por nuk pengojnë transportin dhe ekonominë”, ka deklaruar Sali, duke theksuar nevojën për masa që lehtësojnë lëvizjen e transportuesve pa cenuar standardet e sigurisë.
Në takim është diskutuar edhe për forcimin e bashkëpunimit me Frontex dhe Europol, menaxhimin e integruar të kufijve dhe luftën kundër krimit ndërkufitar.
Sali ka theksuar se integrimi evropian duhet të sjellë më shumë siguri, lidhje më të mira dhe mundësi për qytetarët dhe bizneset e Maqedonisë së Veriut.









