Çmime dukshëm të larta për produkte ushqimore janë evidentuar në marrëveshjen për furnizimin me ushqim të të burgosurve në Burgun e Idrizovës. Vlera totale e tenderit, së bashku me TVSH-në, arrin në rreth 1.25 milion euro.
Sipas të dhënave të publikuara, një litër vaj është paguar 138 denarë, një kilogram sheqer 78 denarë, ndërsa peshku osliç 276 denarë. Një litër qumësht është paguar 97 denarë, mollët 78 denarë për kilogram, keçapi 375 denarë dhe gjalpi 378 denarë për kilogram.
Tenderi, i lidhur me kompaninë “Fodulmak”, ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e shpenzimit të parave publike dhe çmimet me të cilat institucioni është furnizuar me produkte ushqimore.
Sipas marrëveshjes, pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë mishi, produktet e mishit dhe peshku, me vlerë prej afro 27 milionë denarësh. Për erëzat janë paraparë rreth 21 milionë denarë, për produktet e qumështit 19.2 milionë, ndërsa për pemët, perimet dhe produktet e konservuara rreth 10 milionë denarë.
Marrëveshja është lidhur në janar të këtij viti dhe parashikon furnizim për një periudhë njëvjeçare, ose deri në shpenzimin e produkteve të parapara. Dokumenti gjithashtu lejon korrigjimin e çmimeve gjatë kësaj periudhe, por jo më shumë se 10 për qind.
Nga Drejtoria për Kryerjen e Sanksioneve kanë deklaruar se Burgu i Idrizovës ka buxhetin e tij dhe se për furnizimet vendos vetë si institucion.
Ndërkohë, drejtori i burgut, Zoran Jovanovski, i cili ka nënshkruar marrëveshjen, nuk ka dhënë sqarime lidhur me procedurën dhe çmimet e furnizimit. Sipas raportimit të Alsat, ai ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të televizionit, duke i cilësuar ato si presion ndaj tij.






