Kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka uruar qytetarët me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, duke vënë theksin te multietniciteti dhe barazia mes komuniteteve.
Mexhiti tha se Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe se të gjitha komunitetet duhet të kenë rol të barabartë në zhvillimin dhe të ardhmen e vendit.
Sipas tij, respekti, barazia dhe investimet e njëjta për të gjithë qytetarët duhet të jenë pjesë e politikave institucionale. Ai theksoi se këto parime po zbatohen përmes vendimeve dhe investimeve konkrete në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe kulturë.
“Barazia nuk matet vetëm me përfaqësimin dhe pozitat, por edhe me vendet ku investon shteti, shumën e investimeve dhe mënyrën se si shpërndahen resurset dhe mundësitë për zhvillim”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se synimi është ndërtimi i një shteti që respekton karakterin e tij multietnik dhe krijon mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
Në fund, Mexhiti uroi qytetarët për Ditën e Pavarësisë, duke theksuar se ndërtimi i një shteti të barabartë është përgjegjësi ndaj vendit dhe gjeneratave të ardhshme.
“Urime 8 Shtatori, Dita e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut!”, përfundoi Mexhiti.






