Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, i ka ofruar kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari postin e kryeministrit për 100 ditët e fundit të këtij mandati qeveritar, mësoi TV21 nga burime të tij.
Po këtë e mohoi vet kreu i ASH-së, Arben Taravari, duke i thënë TV21 se mes shumë spekulimesh të parëndësishme, ky spekulim është me ndjeshmëri të veçantë dhe se nuk është i vërtetë.
“E di që thashethemet politike nuk kanë ndonjë rëndësi si çdo thashetheme, por disa prej tyre janë të një ndjeshmërie të veçantë si është ky i kryeministrit që kinse më është propozuar mua. Ky lajm nuk është i vërtetë”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.
Por si i komenton këto informacione analisti politik Albert Musliu? Sipas tij çdosecilit politikan do t’i konvenonte të bëhet kryeministri i parë shqiptarë.
“Politikisht çdokujt i konvenon të bëhet kryeministër i parë i Maqedonisë por kjo është pjesë e PR të cilën e bëjnë partitë politike. Unë mendoj se BDI-ja do të insistojë që ato ta nominojnë kryeministrin e parë shqiptar. A do të jetë ai anëtar i BDI-së, a do të jetë kryetari i Aleancës apo ndonjë shqiptar tjetër që do ta promovojnë ajo është çështje tjetër”, pohoi Albert Musliu, analist.
Nënkryetarja e LSDM-së, Sanja Llukarevska tha në ClickPlus se ende nuk është biseduar për kandidatin për kryeministër shqiptar dhe as për kandidatin për president. Shtoi se do të shqyrtohen të gjitha opsionet, së bashku edhe me Aleancën për Shqiptarët meqenëse edhe partia e Taravarit është pjesë e frontit europian.
“Gjithsesi se në kohë do të bisedojmë në këto tema. Do të bisedojmë, do t’i shohim të gjitha opsionet që janë në dispozicion sepse në fakt të gjithë jemi pjesë e atij fronti europian së bashku me Aleancën e cila është në koalicion qeveritar. Do ta gjejmë zgjidhjen e duhur. Tani për tani ende nuk kemi bisedime të tilla, ende nuk është diskutuar të themi mes organeve të partisë”, theksoi Sanja Llukarevska, nënkryetare e LSDM-së.
Sipas informacioneve jozyrtare, oferta e Ahmetit ndaj Taravarit ka ardhur me qëllim që ta bindin ASH-në të mbetet pjesë e frontit europian edhe në zgjedhjet e ardhshme, dhe mos të kandidojë e vetme siç kanë theksuar deri tani nga ASH. Gjithashtu thuhet se për këtë ide ka pakënaqësi nga LSDM dhe se qëllimi i tyre është që zgjedhjet presidenciale të dështojnë duke mos pasur census. Kështu kreu aktual i Kuvendit Talat Xhaferi, do ta ushtronte detyrën e presidentit dhe detyra e kryeministrit do të vazhdoheshte nga LSDM deri në fund. Poqëse Taravari pranon postin e kryeministrit, ai do të duhej të heqë dorë nga posti kryetar komune në Gostivar me çka automatikisht duhet të organizohen edhe zgjedhje lokale në Gostivar./TV21