Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, më 16 dhe 17 shtator do të qëndrojë për vizitë në Tirolin e Jugut, ku do të zhvillojë takime me përfaqësues institucionalë dhe ekspertë
Vizita zhvillohet në një moment kur në Maqedoninë e Veriut po vihen në pikëpyetje disa nga arritjet kyçe të modelit evropian mbi të cilin është ndërtuar stabiliteti i vendit: barazia gjuhësore, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, pjesëmarrja në vendimmarrje dhe mekanizmat mbrojtës kundër majorizimit.
Tiroli i Jugut është një provincë autonome në Itali dhe një nga modelet më të njohura evropiane të menaxhimit të diversitetit, me barazi gjuhësore, përfaqësim proporcional, bashkëqeverisje dhe mekanizma të posaçëm mbrojtës për komunitetet gjuhësore.
Gjatë vizitës, Osmani do të njihet nga afër me funksionimin praktik të këtyre garancive dhe me përvojën se si institucionet e forta të ndarjes së pushtetit e kanë shndërruar një konflikt historik në stabilitet afatgjatë.
Për Maqedoninë e Veriut, kjo përvojë është veçanërisht relevante në kohën kur duhet mbrojtur dhe forcuar arkitektura e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Brukselit kalon përmes Ohrit.






