17.8 C
Skopje
Monday, May 6, 2024

Bizneset në hall, ikin punëtorët

Migrimi nga vendi viteve të fundit është bërë një dukuri shqetësuese. Ai ka prekur shumë fshatra dhe qytete të vendit, ku mund të takoni pak të rinj. Kjo ka ndikuar që të vërehet mungesa e kuadrove, si në sektorin publik ashtu edhe atë privat. Mungojnë mjek dhe infermierë, por edhe punëtorë në kompani private edhe për vende pune të paguara mirë, thonë afaristët.

Afaristi Xhemali Dauti thotë se edhe kompania e tij nuk është imune nga prekja e fenomenit të migrimit.

“Migrimi i forcës punëtore është një problem i shprehur sidomos viteve të fundit, sidomos në tre vitet e fundit. Ne nuk mund të jemi imunë si kompani që të mos jemi nën ndikimin e këtij fenomeni, sidomos dy vitet e fundit, kemi largim të madh të fuqisë punëtore. Ajo në kompaninë tonë shprehet në pjesën e kuadrove të mesëm.” – tha afaristi Xhemali Dauti.

Murati: Bie numri i atyre që kërkojnë punë

Agjencia për Punësim bën hulumtimin e tregut për kuadrot deficitare për të ndërmarrë masa konkrete, thotë drejtori i Agjencisë për Punësim, Bekim Murati. Sipas tij, vetëm në vitin 2023, nëpër trajnime kanë kaluar rreth 15 mijë persona të papunë.

“Në vitin 2023 kemi një sasi rekorde të mjeteve të planifikuara për personat e papunë dhe ajo shifër arrin rreth 30 milion euro. Ndër masat më atraktive për personat e papunë janë masat e vetpunësimit, respektivisht grande të cilat iu ofrohen personave të papunë nga 5 mijë deri në 10 mijë euro për personat që dëshirojnë të hapin një biznes. Pastaj kemi edhe subvencionimin e rrogave për ndërmarrjet. Kemi trajnime të ndryshme, sidomos në pjesën e IT-së, ku personave të rinj deri në 34 vjeç iu ofrohen trajnime të ndryshme në pjesën e IT-së me të vetmin qëllim, që këta persona të jenë më konkurrentë në tregun e punës.” – tha Drejtori i Agjencisë për Punësim, Bekim Murati.

Paga është një faktor kyç për migrimin, thonë afaristët.

“Paga është një faktor kyç, po janë edhe faktorët tjerë të ambientit të jetesës, rrethit, shërbimeve që i nxisin, por është edhe në gjendjen psikologjike të një klase të mirë të njerëzve që tërhiqen njëri pas tjetrit për të shkuar jashtë.” – shprehet afaristi Xhemali Dauti.

Edhe në Agjencinë për Punësim është ulur numri i personave që kërkojnë punë. Drejtori Murati nuk e përjashton mundësinë që kjo të jetë edhe pasojë e migrimit, por, sipas tij, ky është rezultat edhe i masave për punësim.

“Në krahasim me janarin e vitit 2023, kur në Agjencinë për Punësim kemi pasur rreth 111 mijë persona të papunë, ndërsa numri i tyre sot është 103 mijë, apo 8 mijë persona më pak në krahasim me janarin e vitit 2023. Kuptohet, kjo është rezultat edhe i të gjitha masave të cilat i ka ndërmarrë qeveria, respektivisht Agjencia për Punësim, konform planit për operativë që si Agjenci e implementojmë 7 apo 8 vite me radhë.” – thotë Drejtori i Agjencisë për Punësim, Bekim Murati.

Analizat tregojnë se vendi ka një problem serioz me emigracionin e të rinjve, mbajtjen e popullsisë së re në vend dhe plakjen e përgjithshme të popullsisë.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikës bazuar në regjistrimin e vitit 2002, përqindja e të rinjve në popullsinë e përgjithshme të vendit ishte 24 për qind, ndërsa në vitin 2021 është 18 për qind, që paraqet një rënie prej 6 për qind.

Në vitin 2002, vendi kishte 480.848 të rinj, ndërsa në vitin 2021 numri i të rinjve në vend ishte 326.733.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit