Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur për takimin e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me liderët evropianë në Bruksel.
Në një shkrim në Facebook, Berisha tha se Vuçiq refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen, për të cilën thotë se edhe Rama pati ndikim sa i përket draftit të Asociacionit.
Berisha, e quan Ramën argat të Vuçiqit.
“Vuçiq, argati i tij, apo lideri global i 1 prillit”.
“Miq, një javë më parë në Bruksel udhëheqësit më të lartë të BE thirrën Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin Serbomadh Vuçiq, të cilëve ju kërkuan: Kurti të miratojë sipas draftit që paraqitën krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe Vuçiq të njohë de facto Kosovën”.
“Kryeministri Kurti pranoi kërkesën e tyre kurse Vuçiq e refuzoi atë. Por si tinëzar sapo u kthye në Beograd për t’i shpëtuar presioneve si gjithnjë, shpalli zgjedhjet parlamentare për të forcuar pushtetin e tij putinist”.
“Pas kësaj ai thirri në ndihmë argatin e tij në Tiranë, i cili si lider global i 1 prillit një javë pas takimit të Brukselit deklaroi se drafti i Asociacionit dorëzuar Kurtit në Bruksel ishte ai që muaj më parë ju kishte dërguar udhëheqësve evropian. Mirëpo në atë kohë draftin e tij për Asociacionin në të vërtetë e refuzuan publikisht si Kurti ashtu dhe Vuçiq”.
“Por sot ky pohim i liderit global të 1 prillit (Edi Rama) u përgënjeshtrua nga Prishtina. Pra ky ishte blofi i tij i radhës. Këtu nuk ka asgjë të re. Po jo! Qëllimi i deklaratës së djeshme të Edi Ramës ishte vetëm një: të justifikojë refuzimin e Vuçiqit për draftin e Asociacionit si draft i Tiranës dhe ky është shërbimi i radhës që argati i bën padronit të tij”, shkroi Berisha.