Dy persona nga Reçica e Madhe e Tetovës janë privuar nga liria gjatë një operacioni të sektori për krim kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, në kuadër të hetimeve mbi tregun e paligjshëm onlajn të njohur si “OLVX”.
Sipas të dhënave zyrtare, tregu ka funksionuar që nga korriku i vitit 2023 dhe përmbante të dhëna personale të komprometuara për mbi 2.600 përdorues dhe 1.500 shitës, ndërsa vlera totale e transaksioneve ka tejkaluar 500.000 dollarë amerikanë. Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me FBI-në, sipas informacionit fillestar të marrë nga agjencia amerikane.
Mbi bazën e urdhrit gjyqësor të Gjykatës Themelore Tetovë, policia realizoi bastisje në fshatin Reçicë e Madhe, Komuna e Tetovës, tek të dyshuarit A.E. (20) dhe A.I. (23), shtetas të Maqedonisë së Veriut, për të cilët ekziston dyshimi se janë administratorët e tregut. Ata u kapën në vendngjarje duke kryer veprën penale për të cilën dyshohen.
Gjatë kontrollit u konfiskuan kompjuterë desktop, laptopë dhe telefona, të cilët do të analizohen për të siguruar provat e nevojshme për procedurën penale.
Sektori për krim kompjuterik ka njoftuar se hetimet vazhdojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe sigurimin e provave shtesë, në përputhje me ligjet në fuqi.





