Objekti me banesa sociale në Gostivar, një projekt i ndërtuar për t’u dhënë strehë familjeve në nevojë, ende nuk e ka përmbushur plotësisht misionin e tij. Edhe pse kanë kaluar shtatë vite nga përfundimi i ndërtimit, 23 banesa vazhdojnë të mbeten të pashfrytëzuara. Ndërsa dyert e 47 banesave u hapën për familjet përfituese në vitin 2023, pjesa e mbetur pret ende banorët e saj.
Marjan Stefanovski nga Shoqëria Aksionare për menaxhimin e hapësirave banesore dhe afariste, tha se tashmë pritet që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të shpallë një konkurs të ri për ndarjen e tyre. “Ministria e Transportit dhe Lidhjeve shpall konkursin për ndarjen e banesave. Tashmë konkurse të tilla janë bërë për më shumë qytete në Maqedoni dhe duhet të vijë radha edhe për Gostivarin. Ato janë banesa të ndërtuara sipas projektit për banesa sociale dhe shpresoj që në afatin më të shpejtë të mundshëm ministria ta publikojë shpalljen”, tha Stefanovski.
Megjithatë, ai nuk mundi të japë një afat konkret se kur do të hapet konkursi, por siguroi se përfituesit e ardhshëm do të jenë qytetarë që vërtet kanë nevojë për strehim, pasi komisioni kompetent do të bëjë verifikime të rrepta në terren.
“Ai është institucion shtetëror dhe në përputhje me resurset që disponon shpall konkursin për një qytet ose një ndërtesë. Komisioni, i përbërë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe ajo e Punës dhe Politikës Sociale, shqyrton dokumentacionin e plotë dhe del në terren për të verifikuar gjendjen reale të aplikuesve. Vetëm pasi ata të sjellin vendimin, ne lidhim kontratën e qirasë me përfituesit”, shtoi ai. Ndërtimi i këtij objekti së bashku me pranimin teknik përfundoi në vitin 2019, por për shkak të pengesave administrative, ndarja e parë e 47 banesave u realizua tek në vitin 2023. Vlera e përgjithshme e këtij investimi kap shumën prej rreth 85 milionë denarësh.
Banesat u dedikohen kategorive më të ndjeshme të shoqërisë që nuk kanë zgjidhje banesore dhe jetojnë në kushte të rënda sociale. Në mesin e përfituesve potencialë bëjnë pjesë fëmijët pa prindër, shfrytëzuesit e ndihmës minimale të garantuar, familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore, familjet me persona me aftësi të kufizuara, pjesëtarët e komunitetit rom në gjendje të rëndë sociale, si dhe prindërit e vetëm me fëmijë të mitur. Me ndarjen e 23 banesave të mbetura pritet të përmbyllet shfrytëzimi i plotë i këtij objekti.








