Investimet në modernizimin e rrjetit elektrik janë të domosdoshme për furnizim më të sigurt me energji elektrike, uljen e humbjeve dhe krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik. Megjithatë, këto investime ndikojnë edhe në tarifat e rrjetit, të cilat janë pjesë përbërëse e faturës së energjisë elektrike që paguajnë qytetarët dhe kompanitë.
Ndërtimi i linjave të reja elektrike, rikonstruksioni i pajisjeve ekzistuese, ndërtimi i trafostacioneve dhe aplikimi i teknologjive moderne kërkojnë mjete të konsiderueshme financiare. Kjo infrastrukturë është e rëndësishme jo vetëm për amvisëritë dhe institucionet publike, por edhe për kompanitë që planifikojnë hapjen e kapaciteteve të reja prodhuese apo zgjerimin e veprimtarisë së tyre.
Në faturën e energjisë elektrike, përveç energjisë së konsumuar, përfshihen edhe tarifat për shfrytëzimin e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes. Përmes këtyre tarifave sigurohen të ardhurat për mirëmbajtjen, funksionimin dhe zhvillimin e rrjetit elektrik.
Komisioni Rregullator për Energjetikë përcakton tarifat duke marrë parasysh shpenzimet e arsyeshme, amortizimin dhe kthimin e investimeve, si dhe interesat e konsumatorëve. Ndikimi përfundimtar në faturat e qytetarëve varet edhe nga kursimet që sjellin investimet, ulja e humbjeve dhe efikasiteti i sistemit.
Shembulli i EVN Maqedoni
Përmasat e investimeve në rrjetin elektrik në vend i ilustron shembulli i EVN Maqedoni. Sipas të dhënave të fundit të publikuara, investimet e përgjithshme të kompanisë në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2006 arrijnë rreth 850 milionë euro.
Sipas studimit “Libri i Bardhë”, të përgatitur nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive Informative pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, gjatë kësaj periudhe janë ndërtuar 5.561 kilometra rrjet i ri elektrik, ndërsa janë rikonstruktuar edhe 3.056 kilometra të rrjetit ekzistues.
Gjithashtu, janë ndërtuar 1.368 trafostacione të reja dhe janë modernizuar edhe 1.761 të tjera.
Një nga rezultatet më të rëndësishme të këtyre investimeve është ulja e humbjeve të energjisë elektrike në rrjet, nga 24 për qind në 14 për qind. Kjo nënkupton më pak energji të humbur gjatë shpërndarjes dhe ulje të nevojës për sigurimin e energjisë për mbulimin e këtyre humbjeve.
Investimet e reja dhe tranzicioni energjetik
Nevoja për modernizimin e rrjetit elektrik po rritet edhe për shkak të tranzicionit energjetik dhe shtimit të numrit të kapaciteteve për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, veçanërisht nga panelet fotovoltaike.
Komisioni Evropian, në Raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026, thekson se vendi vazhdon të ketë nevojë për investime të konsiderueshme në infrastrukturën energjetike dhe të transportit. Ndërkohë, Banka Botërore vlerëson se reformat në sektorin energjetik dhe përmirësimi i infrastrukturës janë të rëndësishme për rritjen e produktivitetit dhe konkurrencës së ekonomisë.
Në këtë drejtim, investimet në automatizimin, matjen dhe menaxhimin e rrjetit konsiderohen të rëndësishme për përballimin e kërkesave të reja dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike.
Në “Librin e Bardhë” theksohet gjithashtu se fitimi i realizuar nga EVN Maqedoni gjatë periudhës së analizuar është riinvestuar plotësisht në ekonominë vendase.
Sipas analizës, investimet në rrjetin elektrik duhet të vlerësohen jo vetëm për ndikimin që kanë në tarifat e energjisë, por edhe për përmirësimin e cilësisë së furnizimit, uljen e humbjeve dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.








