BUXHETI 2027: Më shumë për administratën, më pak për të varfrit!

Advertisement

Gjysma e buxhetit të vitit 2027 planifikohet për transferta sociale, gati dy miliardë euro vetëm për pensione, ndërsa investimeve kapitale u takon më pak se një e dhjeta e shpenzimeve. Projektbuxheti parashikon që shteti të shpenzojë rreth 7.2 miliardë euro dhe të mbledhë rreth 6.4 miliardë euro. Deficiti i parashikuar është 731.7 milionë euro, ose 3.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), shkruan gazeta KOHA.

Për transfertat sociale janë planifikuar 3.6 miliardë euro. Zëri më i madh brenda tyre janë pensionet, për të cilat parashikohen gati dy miliardë euro, rreth 92 milionë euro më shumë se në buxhetin e rishikuar të vitit 2026. Kjo përbën një rritje prej 4.8 për qind. Ndërkohë, pagesat e interesit për borxhin pritet të arrijnë në rreth 405 milionë euro, ose 18.2 për qind më shumë se shuma e planifikuar për vitin 2026.

Për paga dhe kompensime në sektorin publik janë parashikuar 930,2 milionë euro, mbi 55 milionë euro më shumë se në buxhetin e rishikuar të këtij viti. Subvencionet dhe transfertat pritet të arrijnë në 534.6 milionë euro, me rritje prej 7.4 për qind. Në anën tjetër, për përfitimet e drejtpërdrejta sociale janë planifikuar 232.5 milionë euro, dy për qind më pak se në planin e fundit për vitin 2026. Për mallra dhe shërbime, që mbulojnë funksionimin e rregullt të institucioneve, parashikohen 453 milionë euro, me rritje prej 2.8 për qind.

Shpenzimet kapitale planifikohen në 663.7 milionë euro, ose 9.3 për qind të shpenzimeve të përgjithshme. Kjo është rreth 11 milionë euro më shumë se në buxhetin e rishikuar të vitit 2026, por më pak se rreth 740 milionë eurot që ishin parashikuar në buxhetin fillestar të atij viti. Mjetet për investime pritet të shkojnë për Korridoret 8 dhe 10-D, infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, si dhe për projekte në shëndetësi, arsim dhe bujqësi. Ndër projektet e përmendura veçmas janë vazhdimi i punimeve në segmentin hekurudhor Bellakovcë-KrivaPallankë, pjesë e Korridorit 8, dhe programi për rrugët lokale, që parashikon mbështetje financiare për 80 komuna.

Në anën e të hyrave, nga tatimet pritet të sigurohen rreth 3,6 miliardë euro, ndërsa nga kontributet sociale gati 2.2 miliardë euro. TVSH-ja mbetet burimi më i madh tatimor. Nga tatimi mbi të ardhurat personale parashikohen 682.9 milionë euro, nga akcizat 518.7 milionë euro dhe nga tatimi mbi fitimin 447.1 milionë euro. Krahasuar me buxhetin e rishikuar për vitin 2026, të hyrat nga tatimet parashikohen të rriten me 6.4 për qind, ndërsa ato nga kontributet me 9.3 për qind.

Projektbuxheti mbështetet në parashikimin për rritje ekonomike prej 3,8 për qind dhe inflacion prej 3,2 për qind. Ministria e Financave paralajmëron konsolidim gradual fiskal, racionalizim të shpenzimeve dhe ruajtje të stabilitetit të financave publike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit