Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka pritur sot në takim ministrin përgjegjës për Investimet e Huaja, Zulfikar Zeynulla, me të cilin ka diskutuar për përmirësimin e klimës së investimeve në Maqedoninë e Veriut, me fokus të veçantë tek investitorët turq.
Në qendër të takimit ishin sfidat me të cilat përballen investitorët e huaj, pengesat ekzistuese dhe masat konkrete që mund të ndërmerren për krijimin e kushteve më të favorshme për investime dhe zhvillim ekonomik.
Ministri Durmishi bëri të ditur se gjatë takimit është arritur dakordim që në vitin 2027, në bashkëpunim ndërmjet dy ministrive, të organizohet në Shkup një Forum i përbashkët Ekonomik, i cili do të mbledhë investitorët turq dhe do të shërbejë si platformë për prezantimin e potencialit ekonomik dhe mundësive të reja për investime në vend.
Durmishi theksoi se tërheqja e investimeve të huaja dhe fuqizimi i ekonomisë mbeten ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës.
“Më shumë investime, ekonomi më konkurruese dhe vende të reja pune për qytetarët tanë, mbeten prioritetet tona!”, deklaroi ministri Durmishi.
Organizimi i Forumit Ekonomik në Shkup synon të nxisë bashkëpunimin ekonomik dhe të krijojë mundësi të reja për investime, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës në Maqedoninë e Veriut.








