Rajoni i Dibrës njihet për pasuritë e shumta natyrore, peizazhet malore dhe burimet e pasura ujore, të cilat përbëjnë një potencial të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të kësaj treve. Cilësia e këtyre burimeve ka marrë një tjetër vlerësim ndërkombëtar, pasi uji mineral natyral MAYA, që prodhohet në afërsi të fshatit Gajre, është shpallur fitues i çmimit për ujin më të mirë natyral pa gaz në botë.
Në garën ndërkombëtare Global Water Drinks Awards 2026 në Barcelonë, MAYA fitoi titullin “Best Natural Still Water in the World”, duke shënuar një arritje të rëndësishme për kompaninë dhe për promovimin e potencialeve natyrore të rajonit të Dibrës. Fituesit u përzgjodhën nga një juri ndërkombëtare ekspertësh, në përbërje të së cilës ishin edhe somelierët e njohur të ujit, Ruriko Suzuki nga Japonia dhe Arthur von Wiesenberger nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me profesionistë të tjerë të industrisë.
Çmimet u ndanë në Barcelonë, në kuadër të Kongresit Global të Ujit, një ngjarje ndërkombëtare që mbledh ekspertë, prodhues dhe përfaqësues të kompanive të industrisë së ujit nga vende të ndryshme të botës.
MAYA është ujë mineral natyral malor, i cili karakterizohet nga alkaliniteti i lartë natyror, me vlerë pH mbi 8, përmbajtje shumë të ulët të natriumit dhe përbërje të ekuilibruar minerale. Një nga veçoritë kryesore të këtij produkti është ruajtja e përbërjes së tij natyrore gjatë gjithë procesit të prodhimit dhe ambalazhimit. Uji mbushet në shishe pa iu nënshtruar proceseve të demineralizimit, pa ndërhyrje artificiale në përbërjen minerale dhe pa shtimin e mëvonshëm të mineraleve. Sipas përfaqësuesve të fabrikës, procesi zhvillohet në një impiant me teknologji bashkëkohore, i cili mundëson ruajtjen e karakteristikave natyrore të ujit nga burimi deri te konsumatori.
I gjithë sistemi i nxjerrjes, transportimit dhe ambalazhimit është projektuar për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë të ujit me mjedisin e jashtëm deri në momentin e hapjes së shishes.
Teknologu kryesor i fabrikës për mbushjen dhe ambalazhimin e ujit MAYA, Arsim Iseni, në një deklaratë për gazetën KOHA, theksoi se ky vlerësim ndërkombëtar është një dëshmi tjetër e cilësisë së burimeve natyrore që posedon rajoni i Dibrës. Sipas tij, suksesi i fundit konfirmon se kjo trevë ka potencial të konsiderueshëm për prodhimin e produkteve cilësore, të cilat mund të konkurrojnë edhe në tregjet ndërkombëtare. “Edhe një herë u dëshmua se rajoni i Dibrës është i pasur me burime dhe pasuri natyrore. Cilësia e ujit që buron nga kjo trevë është një nga vlerat e saj të veçanta”, deklaroi Iseni për gazetën KOHA. Ai shpjegoi se fabrika MAYA ndodhet në afërsi të fshatit Gajre dhe ka filluar punën në vitin 2016, duke shënuar kështu dhjetë vjet nga fillimi i veprimtarisë së saj.
Fabrika është investim i kompanisë kroate ML-Gari, e cila njëkohësisht është edhe koncesionare e burimit të ujit. Duke folur për procesin teknologjik, Iseni sqaroi se uji nxirret nga puse me thellësi prej 80 deri në 120 metra dhe më pas transportohet drejt fabrikës përmes tubacioneve që plotësojnë standarde të larta teknike dhe higjienike. “Uji merret nga burimi përmes puseve me thellësi prej 80 deri në 120 metra dhe më pas, nëpërmjet tubacioneve të ndërtuara sipas standardeve të larta, transportohet deri në fabrikë. Uji është tërësisht natyror dhe gjatë procesit të mbushjes ruhet përbërja e tij origjinale”, deklaroi teknologu Arsim Iseni.
Fabrika MAYA prodhon dhe tregton ujë mineral natyral pa gaz dhe ujë të gazuar, të cilët plasohen si në tregun vendas, ashtu edhe në tregjet jashtë vendit. Vlerësimi i fituar në garën ndërkombëtare paraqet një arritje të rëndësishme për kompaninë, e cila gjatë dhjetë viteve të veprimtarisë së saj ka investuar në teknologjinë e prodhimit dhe ruajtjen e cilësisë së produktit. Njëkohësisht, ky sukses nxjerr në pah rëndësinë e shfrytëzimit të qëndrueshëm të pasurive natyrore të rajonit të Dibrës dhe mundësitë që ato ofrojnë për zhvillimin e industrisë vendase.








