Shefi i Shtabit të VLEN-it për zgjedhjet lokale në Bërvenicë, Adnan Azizi, ka njoftuar hapjen e shtabit të koalicionit në Çellopek të Epërm, duke shënuar nisjen e aktiviteteve për zgjedhjet e parakohshme lokale.
Azizi bëri të ditur se VLEN në këto zgjedhje do të garojë me Jakup Huseinin, të cilin e përshkroi si kandidat të përgatitur, të drejtë dhe pa bagazh politik.
“VLEN garon me Jakup Huseinin, një kandidat të përgatitur, të drejtë dhe pa bagazhe politike, që e njeh nga afër komunën dhe problemet e qytetarëve”, shkroi Azizi.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të fundit në Bërvenicë ka përcjellë një mesazh të qartë nga qytetarët, ndërsa tani, siç shprehet ai, synohet bashkimi i këtij vullneti dhe çimi i tij deri në fund.
“Bërvenica e dha mesazhin e saj në zgjedhjet e fundit. Sot na takon ta bashkojmë atë vullnet dhe ta çojmë deri në fund fitoren që na u mohua”, theksoi Azizi.
Ai shtoi se synimi i VLEN-it është që Bërvenica, me Jakup Huseinin në krye, t’u bashkohet komunave të Pollogut që, sipas tij, po shënojnë përparim.
Gjatë tubimit për hapjen e shtabit, Azizi përsëriti edhe qëndrimin e VLEN-it lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Shfrytëzuam rastin ta përsërisim qëndrimin e VLEN-it kundër gjykimit të padrejtë të ish-krerëve të UÇK-së. Shpresojmë që Apeli ta përmirësojë këtë padrejtësi”, shkroi Azizi.






