Automjetet e së kaluarës rikthehen në rrugët e Dibrës

Advertisement

Në këtë ekspozitë të automjeteve, dibranët patën mundësi të shohin edhe modele të vjetra të markave Renault, Mercedes, Fiat, BMW, Moskvich, Opel, Fiço e të tjera

 

Vjollca SADIKU

 

Dibër, 13 shtator – Në organizim të Komunës së Dibrës, të shtunën në Dibër u mbajt për herë të parë “VM Classic Central Rally”, një aktivitet atraktiv kushtuar pasionit për automjetet historike dhe klasike.

 

Një numër shumë i madh i dibranëve patën mundësi të ndiqnin këtë aktivitet, i cili ngjalli interes të theksuar. Aktiviteti në fjalë u mbajt në parkingun e ri, në afërsi të Sallës së Sporteve “Dibra”, ku u ekspozuan automjete të prodhuara para disa dekadash.

 

Duke përshëndetur pjesëmarrësit e këtij aktiviteti, kryetari i Këshillit Komunal, Afrim Krkuti, tha se bëhet fjalë për një aktivitet që mbahet për herë të parë në Dibër dhe që u mundëson qytetarëve të shohin vetura klasike më të vjetra, të prodhuara në vite të ndryshme, por që vazhdojnë të përdoren edhe sot. “Në këtë aktivitet sot marrin pjesë 27 vetura historike dhe klasike nga disa qytete të vendit dhe, me të vërtetë, eventi është ndjekur me shumë interes nga dibranët”, tha kryetari Krkuti.

 

“Në këtë rally klasik, vetura më e vjetër është e vitit 1952, e tipit Mercedes, dhe ajo përdoret edhe sot. Normalisht, pronari në vazhdimësi e mirëmban këtë automjet”, tha për gazetën KOHA kryetari i Shoqatës “VM Classic” nga Shkupi, Velimir Smilevski.

 

Ai shtoi se deri tani klubi që drejton ka realizuar gjashtë rally dhe ekspozime të veturave. Ky klub është anëtar i Federatës Evropiane dhe merr pjesë si përfaqësues i Maqedonisë së Veriut në kongreset botërore.

 

Smilevski shtoi se klubi merr pjesë edhe në aktivitete ndërkombëtare dhe ka pasur aktivitete në Shqipëri, Kosovë, Serbi, si dhe Bosnjë e Hercegovinë. “Është kënaqësi të jesh aktiv në këtë hobi, i cili nuk është shumë i shtrenjtë, edhe pse duket se kushton shumë”, tha kryetari i klubit, Smilevski.

 

Sipas tij, në vend ka edhe klube të tjera të automjeteve klasike. Në këtë ekspozitë të automjeteve, dibranët patën mundësi të shohin edhe modele të vjetra të markave Renault, Mercedes, Fiat, BMW, Moskvich, Opel, Fiço e të tjera. (koha.mk)

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit