Këshilli Komunal miratoi fillimin e procedurës për marrjen e një kredie afatgjatë prej 120 milionë denarësh, rreth 2 milionë euro. Sipas materialeve të prezantuara, këto para nuk merren për projekte të reja, parkingje, gjelbërim apo investime kapitale, por për shlyerjen e borxheve ekzistuese.
Vetëm para gjashtë muajsh qytetarëve iu premtua zhvillim. Sot u ofrohet borxh i ri për të mbuluar borxhe të vjetra. Kjo nuk është qeverisje e përgjegjshme, por pranim publik i krizës financiare në komunë.
Kërkojmë nga udhëheqësia e Komunës së Çairit të bëjë publike menjëherë për cilat borxhe merret kjo kredi, cilat detyrime do të shlyhen dhe kush mban përgjegjësi për këtë gjendje.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse po paguajnë obligime të rregullta apo pasojat e keqmenaxhimit, punësimeve partiake dhe kontratave të dyshimta.
Po ashtu, kërkojmë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Enti Shtetëror për Revizion të kontrollojnë furnizimet publike, kontratat dhe menaxhimin financiar të Komunës së Çairit.
Çdo denar i marrë hua është barrë mbi qytetarët dhe duhet të arsyetohet deri në denarin e fundit.
Çairit nuk i duhet borxh për të mbuluar borxhe. Çairit i duhet përgjegjësi, transparencë dhe qeverisje e ndershme.





