Nënkryetarja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Izet Mexhitit në BDI, duke theksuar se partia, sipas saj, nuk përjashton bashkëpunimin me figura politike që angazhohen për të drejtat e shqiptarëve.
Duke folur në emisionin “Debat” në TV Shenja, Bilalli Zendeli është pyetur nëse zërat për një afrim të mundshëm mes Mexhitit dhe BDI-së janë vetëm një iluzion apo mund të shndërrohen në realitet.
Ajo nuk e ka cilësuar këtë mundësi në asnjërën mënyrë, duke iu referuar qëndrimeve të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, për bashkimin dhe bashkëpunimin e faktorit politik shqiptar. Sipas saj, Fronti Evropian dhe AKI kanë argumentuar nevojën për bashkëpunim, ndërsa ka shtuar se “mbetet për t’u parë” nëse do të ketë zhvillime konkrete.
E pyetur nëse në BDI ka hapësirë për figura që janë larguar më herët nga partia, Bilalli Zendeli ka thënë se BDI “nuk është përjashtuese ndaj bashkëpunimeve”, veçanërisht kur ato lidhen me realizimin dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve të përcaktuara nga Marrëveshja e Ohrit.
Deklarata e saj vjen në një kohë kur në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut po diskutohet më shumë për nevojën e bashkëpunimit dhe unifikimit të subjekteve politike shqiptare.






