Policia ka privuar nga liria dy persona të dyshuar për shkaktimin e zjarreve në hapësira të hapura në rajonin e Pellagonisë dhe Maqedonisë perëndimore.
Më 7 gusht, rreth orës 12:00, zyrtarë policorë nga SPB Makedonski Brod kanë arrestuar G.S. (45) nga fshati Greshnicë. Sipas MPB-së, ai dyshohet se në disa raste të mëparshme ka shkaktuar zjarre në hapësira të hapura.
Po atë ditë, rreth orës 11:30, ai është ndaluar në zonën ndërmjet fshatrave Greshnicë dhe Sllatinë, ku dyshohet se kishte shkaktuar sërish zjarr.
Në një rast tjetër, rreth orës 17:00, policia nga SPB Prilep ka privuar nga liria G.A. (76) nga Shkupi, në fshatin Sarandinovë të Komunës së Dollnenit. Edhe ai dyshohet për shkaktim të zjarreve në hapësira të hapura.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se, pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të dyshuarve do të parashtrohen kallëzime përkatëse.
Policia ka intensifikuar kontrollet dhe veprimet në lidhje me zjarret në hapësira të hapura, për shkak të rrezikut të përhapjes së tyre dhe kërcënimit që paraqesin për banorët, tokat bujqësore, pyjet dhe pronën.






