Shkup, 5 tetor Zhurnal.mk – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, me ftesë të Ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut, Petra Drexler.
Ahmeti, përmes një postimi në rrjetet sociale, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve me Gjermaninë, duke e cilësuar atë si një mike dhe partnere të rëndësishme të vendit dhe të shqiptarëve.
“Gjermania ka qenë dhe mbetet një mike dhe partnere e rëndësishme e vendit tonë dhe e shqiptarëve, si dhe një mbështetëse e fuqishme e perspektivës sonë evropiane”, shkroi Ahmeti.
Ai gjithashtu përcolli urimet e tij për ambasadoren Drexler dhe popullin gjerman me rastin e Ditës së Bashkimit, duke shprehur dëshirën për forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe popujve.
“Ambasadores Drexler dhe popullit gjerman ua përcjell urimet më të përzemërta për Ditën e Bashkimit, me dëshirën për miqësi dhe bashkëpunim edhe më të fuqishëm ndërmjet vendeve dhe popujve tanë”, theksoi Ahmeti.
Në fund të mesazhit të tij, kreu i BDI-së uroi: “Gëzuar Ditën e Bashkimit të Gjermanisë!” përcjell Zhurnal.mk .






