Në rrugët e Tetovës, që nga dita e djeshme, vërehet mungesë e theksuar e taksive. Shkak është një aksion i inspektorëve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DHP), të cilët kanë kontrolluar nëse taksistët posedojnë leje për punë dhe nëse janë të regjistruar.
Si pasojë e kontrolleve, dhjetëra taksistë janë gjobitur.
Nga Komuna e Tetovës thonë se gjatë këtij viti nuk është paraqitur asnjë kërkesë për licencë apo leje për ushtrimin e veprimtarisë së taksive, qoftë nga persona fizikë apo kompani.
“Fatkeqësisht, në Sektorin për Veprimtari Komunale nuk ka arritur asnjë kërkesë për t’u licencuar dhe për të punuar ligjërisht asnjë taksi individual apo kompani e taksive. Kështu që, Komuna e Tetovës nuk ka dhënë leje për taksitë për këtë vit”, deklaroi Albi Qamili nga Komuna e Tetovës.
Ekipi tentoi të marrë qëndrimin edhe nga disa taksistë, por ata nuk pranuan të flasin para kamerave, duke shprehur frikë nga ndëshkimet.
Sipas taksistëve dhe përfaqësuesve të komunës, një nga problemet kryesore është sigurimi i licencës për ushtrimin e veprimtarisë, e cila duhet të merret në Shkup. Megjithatë, sipas tyre, procesi aktualisht është i pamundur pasi ende nuk është formuar komisioni përgjegjës për dhënien e licencave.
Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike nuk kanë dhënë deklaratë lidhur me aksionin e zhvilluar, ndërsa mbeten pa përgjigje edhe shqetësimet e taksistëve për mungesën e komisionit që duhet të shqyrtojë dhe lëshojë licencat e punës.






