Përgatitja e ajvarit dhe turshive për dimër këtë vit po bëhet një shpenzim i konsiderueshëm për shumë familje në Shtip.
Një kilogram speca për ajvar kushton rreth 100 denarë, patëllxhani nga 20 deri në 50 denarë për copë, ndërsa një kilogram karota arrin deri në 60 denarë. Kur këtyre shpenzimeve u shtohen vaji, drutë dhe puna e nevojshme për përgatitje, kostoja e ajvarit të bërë në shtëpi rritet ndjeshëm.
Për këtë arsye, disa qytetarë thonë se këtë vit mund të jetë më e leverdishme të blejnë ajvar të gatshëm, ndërsa të tjerë nuk duan të heqin dorë nga tradita.
“E shtëpisë është e shtëpisë”, thonë ata, duke theksuar se shija e ajvarit të përgatitur në shtëpi mbetet e pakrahasueshme.
Qytetarët presin uljen e çmimeve
Një pjesë e qytetarëve po presin që çmimet e perimeve të ulen, veçanërisht në fund të shtatorit dhe gjatë tetorit, kur pritet ofertë më e madhe në tregje.
Për familjet që kultivojnë vetë specat, shpenzimet janë dukshëm më të ulëta. Megjithatë, për ata që i blejnë të gjitha produktet, përgatitja e dimërores mund të rëndojë ndjeshëm buxhetin familjar.
Tre ditë punë për një ajvar
Krahas kostos financiare, përgatitja e ajvarit kërkon edhe shumë kohë dhe angazhim. Pjekja, qërimi, bluarja dhe skuqja e specave mund të zgjasin disa ditë.
“Tre ditë me pjekje, qërim dhe skuqje janë një ngarkesë shtesë”, shprehen disa qytetarë, veçanërisht ata që kanë edhe obligime të tjera familjare dhe profesionale.
Prodhuesit: Thatësira dhe mungesa e punëtorëve ndikojnë në çmime
Prodhuesit dhe shitësit në tregun e Shtipit thonë se çmimet janë ndikuar edhe nga mungesa e fuqisë punëtore dhe kushtet e pafavorshme atmosferike.
Sipas tyre, thatësira dhe moti i paqëndrueshëm kanë ndikuar në prodhimin dhe ofertën e specave. Ata presin një ulje të lehtë të çmimeve gjatë tetorit, kur në tregje mund të ketë sasi më të mëdha të perimeve.
Deri atëherë, familjet përballen me një dilemë: të paguajnë më shumë për ajvarin e shtëpisë, të presin uljen e çmimeve apo të zgjedhin një kavanoz të gatshëm nga marketi.






