Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kryeson bindshëm listën e liderëve politikë në të cilët qytetarët e Maqedonisë kanë më shumë besim. Partia VMRO-DPMNE mbetet sërish partia e parë politike për të cilën qytetarët maqedonas do të votonin nëse nesër do të mbaheshin zgjedhje të reja parlamentare. Për herë të parë, koalicioni “VLEN” është para BDI-së, ndërsa LSDM-ja pas BDI-së. Këto janë disa nga rezultatet e një ankete të opinionit publik të realizuar nga agjencia “Market Vision” për MKD.mk, nga data 6 deri më 15 dhjetor, me 1.200 të anketuar,

Në pyetjen “Cilit lider të partisë politike i besoni më shumë?”, 27.2% e të anketuarve u përgjigjën se është Hristijan Mickoski. Në vendin e dytë, me vetëm 5.3% besim, është Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së. Pas tij renditen Maksim Dimitrievski dhe Venko Filipçe me nga 3.6%, Arben Taravari (2.9%), Dimitar Apasiev (2.26%), Izet Mexhiti (1.8%), Bilall Kasami (0.7%), Zijadin Sela (0.5%), Afrim Gashi (0.2%)…

Për herë të parë në historinë pluraliste politike t Maqedonisë, në vendin e dytë mes liderëve politikë gjendet kryetari i një partie shqiptare në Maqedoni. Deri tani, këto dy vende zakonisht i takonin liderëve të VMRO-DPMNE-së ose LSDM-së. Kryetari aktual i LSDM-së, Venko Filipçe, ndan vendin e tretë në këtë renditje bashkë me Maksim Dimitrievskin, kryetar i partisë së re ZNAM. Ndërkohë, si parti, LSDM renditet në vendin e katërt pas VMRO-DPMNE-së, BDI-së dhe VLEN-it.
Lidhur me udhëheqjen e re të LSDM-së dhe sfidat që partia përballet pas zgjedhjeve të fundit, si dhe kapacitetin për të reformuar partinë dhe krijuar politika të pranueshme për qytetarët, të anketuarit kanë shprehur skepticizëm të madh. Mbi 48% e të anketuarve nuk besojnë në këtë kapacitet, ndërsa vetëm 18.4% janë përgjigjur pozitivisht.
Kjo reflektohet edhe në renditjen e partisë, ku mbizotëron pesimizmi për mundësinë e rigjenerimit të saj.
Në pyetjen “Nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër, për cilën parti politike do të votonit?”, 21.5% e votuesve u përgjigjën për VMRO-DPMNE, 5.5% për koalicionin “VLEN”, 5.4% për BDI, 3.9% për LSDM, 2.9% për Levicën, 2.1% për ZNAM… Mbi 50% e të anketuarve deklaruan se nuk duan të përgjigjen, nuk do të votojnë, ende nuk janë përcaktuar ose nuk e dinë për kë të votojnë.
Kjo anketë tregon se besimi tek kreu i VMRO-DPMNE-së, Heistijan Mickoski është më i madh se rejtingu i partisë së tij. Gjithashtu, është interesante që për herë të parë në bllokun shqiptar, koalicioni “VLEN” ka më shumë besim se BDI.
Anketa u zhvillua nga data 6 deri më 15 dhjetor, duke përdorur metodën CATI (intervistim telefonik i asistuar nga kompjuteri) me 1,200 të anketuarve (gabim statistikor: 3%; interval besueshmërie: 95%). Të anketuarit janë përfaqësues në nivel kombëtar në Maqedoni, bazuar në rajon, gjini, moshë dhe përkatësi etnike, sipas të dhënave të regjistrimitt ë vitit 2021./Ora24.tv





