Maqedonia e Veriut çdo vit humbet 146 milionë metra kub ujë të pijshëm. Pothuajse gjysma e ndërmarrjeve të ujësjellësit operojnë me humbje financiare, ndërsa tek një pjesë e madhe e tyre humbja e ujit është më e madhe se 40 përqind, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.
Këtë e tregon analiza e fundit nga hulumtimi i Qendrës për Komunikime Qytetare (QKQ) për çmimet dhe konsumin e ujit të pijshëm. Banorët e Bogovinës paguajnë çmimin më të ulët për ujin e konsumuar – vetëm 7,5 denarë për metër kub të konsumuar, kurse çmimin më të lartë e paguajnë banorët e Koçanit – 48,79 denarë për metër kub, që është për 6.5 herë më shumë. Te ndërmarrjet, çmimin më të ulët për një metër kub ujë e paguajnë konsumatorët në Zhelinë – 13,42 denarë, ndërsa deri tani bindshëm më i shtrenjtë është uji për ndërmarrjet në Shkup, që arrin madje deri më 68,10 denarë për metër kub.
“Sasi më të mëdha të ujit konsumojnë banorët e Mavrovës dhe Tearcës, nga 70 metër kub në muaj, si dhe Bogovinës, 40 metër kub në muaj. Amvisëritë në Nagoriçan të vjetër konsumojnë sasinë më të vogël të ujit, vetëm nga 2,4 metër kub në muaj. Nga qytetet më të mëdha uji është më i lirë Tetovë, ndërsa më i shtrenjtë në Ohër. Por, në muaj banorët e Ohrit konsumojnë më pak, kurse sasinë më të madhe ata nga Tetova. Nga 245 milionë metër kub ujë të pijshëm që prodhohet në vit, më shumë se gjysma humbet, gjegjësisht 146 milionë metër kub”, thuhet në këtë analizë.
Humbje absolute në sasi më të mëdha të ujë i pijshëm ka në Shkup, deri në 63 milionë metër kub në vit, që është 43 përqind e të gjithë ujit të humbur në vend. Pas tij vjen Gostivari, Tetova dhe Kërçova. Pothuajse 44 përqind nga 67 furnizuezit e ujit të pijshëm kanë arritur rezultat negativ financiar vitin e kaluar. Humbjet e përgjithshme të këtyre ndërmarrjeve janë 255.018.205 denarë, gjegjësisht 4 milionë euro.
“Humbjen më të madhe, mbi një milion euro e ka ndërmarrja nga Koçani, që është saktësisht një e katërta e shumës së përgjithshme të humbjeve të këtyre ndërmarrjeve. Me humbje më të mëdha janë edhe ujësjellësit e Velesit, Manastirit, Shkupit dhe Strugës. Te 72 përqind e ndërmarrjeve me humbje financiare humbjet e ujit të pijshëm janë më shumë se 40 përqind”, shtohet në analizë.
Gjysma e ndërmarrjeve të ujësjellësit operojnë me humbje
Vendi humbet 146 milionë metër kub ujë të pijshëm në vit. Pothuajse gjysma e ndërmarrjeve të ujësjellësit punojnë me humbje financiare dhe te shumica e tyre ka edhe humbje të ujit më të madhe se 40 përqind.
Në vendin tonë janë 67 furnizues të ujit të pijshëm dhe secili ka një çmim të ndryshëm për shërbimin e vet. Shumica e tyre kanë çmime të ndryshme për “amvisëritë” dhe “pjesën tjetër të konsumatorëve”, gjegjësisht personat juridikë (ndërmarrjet dhe institucionet).
“Çmimin më të ulët për ujin e konsumuar, vetëm 7,5 denarë për metër kub të konsumuar, e paguajnë banorët e Bogovinës, kurse çmimin më të lartë e paguajnë banorët e Koçanit – 48,79 denarë për metër kub, që është 6,5 herë më shumë. Çmimi mesatar i një metri kub ujë të pijshëm në vend është 27,49 denarë. Amvisëritë nga Mavrova paguajnë vetëm 2,6 denarë për metër kub, por edhe 210 denarë taksë mujore fikse, prandaj nuk janë të parët në listë me çmimin më të ulët”, tregon analiza.
Ndër pesë komunat e para me çmimin më të ulët të ujit katër janë nga Rajoni i Pollogut: Bogovina, Tearca, Zhelina dhe Vrapçishti, ndërsa e pesta është Rosomani. Nga ana tjetër, më shtrenjtë ujin e paguajnë 4 komuna nga rajoni lindor, Koçani, Dellçeva, Probishtipi dhe Berova, si dhe Sveti Nikole.
“Për personat juridikë çmimi më i ulët për metër kub ujë është për konsumatorët në Zhelinë, 13,42 denarë, ndërsa bindshëm më i shtrenjtë është uji për ndërmarrjet e Shkupit, madje 68,10 denarë për metër kub. Këto, të ashtuquajturit Konsumatorë të tjerë mesatarisht paguajnë nga 45,25 denarë për metër kub ujë të pijshëm, që është madje 65 përqind më shumë se amvisëritë”, thuhet në analizë.
Edhe te personat juridikë katër nga pesë komunat me çmimin më të ulët për shërbimin e ujit janë nga Rajoni i Pollogut: Zhelina, Tearca, Bogovina dhe Tetova, ndërsa e pesta është Krivogashtani. Nga ana tjetër, në mesin e pesë komunave me ujin më të shtrenjtë për personat juridikë, përveç Shkupit, janë edhe Dellçeva, Berova, Nagoriçani i vjetër dhe Velesi. Në Nagoriçan të vjetër paguhet edhe një taksë fikse prej 87 denarësh për çdo faturë mujore për ujë të pijshëm.