Sipas The Guardian, Ursula von der Leyen është në rrugën e duhur për të qëndruar për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian, ndërsa liderët e BE-së takohen këtë mbrëmje për një diskutim të parë mbi ndarjen e pozicioneve kryesore të unionit.
27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të mblidhen për darkë në Bruksel në takimin e tyre të parë të grupit që nga zgjedhjet evropiane javën e kaluar, që rritën partitë nacionaliste e të ekstremit të djathtë dhe nxitën Presidentin francez Emmanuel Macron të thërriste zgjedhje të parakohshme.
Në lojë është nëse von der Leyen do të marrë një mandat të dytë pesë-vjeçar si kreu i Komisionit, i cili nis dhe zbaton ligjin e BE-së. Udhëheqësit e BE-së do të vendosin gjithashtu për pasardhësit e Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian dhe Josep Borrell, kryediplomati i BE-së.
Sipas The Guardian Von der Leyen ka qenë prej kohësh kryesuesja e qartë. Si kandidatja kryesore për Partinë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, e cila do të jetë grupi më i madh në Parlamentin e ri Evropian me 26% të vendeve, pozicioni i saj është forcuar nga votimi në mbarë Evropën.
Konsensusi po forcohet gjithashtu rreth ish-kryeministrit socialist të Portugalisë António Costa për të marrë detyrën nga Michel në kryesimin e takimeve të Këshillit të BE-së.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, është një favorit për të marrë detyrën nga Borrell si kryediplomatja e BE-së.