Me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, u organizua aktivitet edukativo-shëndetësor nga Shoqata e Studentëve të Mjekësisë në Maqedoni – MMSA, në bashkëpunim me Klinikën e Endokrinologjisë dhe Komunën e Çairit.
Nën moton globale të këtij viti, aktiviteti kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për diabetin, rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, parandalimin e komplikimeve dhe edukimin mbi menaxhimin e kësaj sëmundjeje kronike.
Gjatë aktivitetit u realizuan matje falas të glikemisë dhe tensionit arterial, u prezantuan informacione mbi përhapjen e diabetit dhe statistikat aktuale, si dhe u ofruan këshilla mjekësore për parandalimin, trajtimin dhe menaxhimin e sëmundjes.
Dr. Irfan Ahmeti, drejtor i Klinikës së Endokrinologjisë, foli për sfidat me të cilat përballet sistemi shëndetësor në trajtimin e diabetit.Ai nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së të gjitha niveleve të kujdesit shëndetësor në menaxhimin e diabetit, duke filluar nga mjeku amë, i cili ka rol kyç në diagnostikimin, inicimin e trajtimit dhe edukimin e pacientit.
Sipas tij, qendrat e specializuara për diabetin përballen me fluks të madh pacientësh, të cilin nuk mund ta përballojnë të vetme. Prandaj, është e domosdoshme që kujdesi të shpërndahet në mënyrë të koordinuar në të gjitha nivelet shëndetësore, duke u kushtuar vëmendje të veçantë pacientëve me diabet të tipit 1, të cilët trajtohen me insulinë, si dhe pacientëve me diabet të tipit 2 dhe sëmundje të shumta shoqëruese.
Dr. Bekim Fera – Endokrinologji, u ndal te rëndësia e veprimit të hershëm, edukimit të pacientëve dhe luftimit të stigmës sociale që ende e shoqëron diabetin. Duke theksuar se çdo vit rreth 6.600 qytetarë diagnostikohen me këtë sëmundje, ndërsa një numër i konsiderueshëm i personave vazhdojnë të mbeten të padiagnostikuar.
Ai theksoi se diagnostikimi duhet të pasohet me fillimin në kohë të trajtimit dhe edukimin e pacientit, duke e bërë atë pjesë aktive të procesit të menaxhimit të sëmundjes. Gjithashtu, nënvizoi se pacientët me diabet të tipit 1 dhe tipit 2 kanë nevoja të ndryshme terapeutike, veçanërisht në praninë e sëmundjeve shoqëruese.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe stigmës sociale dhe paragjykimeve ndaj personave me diabet, të cilat mund të ndikojnë negativisht në mirëqenien dhe kujdesin e tyre shëndetësor. Edukimi dhe mbështetja e pacientëve janë pjesë e pandashme e trajtimit bashkëkohor.
Donart Xhambazi, student i vitit të pestë në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” dhe udhëheqës i Komitetit për Shëndet Publik në MMSA, theksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të studentëve të mjekësisë në promovimin e shëndetit publik.
Ai bëri të ditur se MMSA organizon rregullisht aktivitete me rastin e ditëve ndërkombëtare të shëndetit, me qëllim informimin dhe edukimin e popullatës për sëmundje të shpeshta, si diabeti dhe sëmundjet e gjëndrës tiroide.
Përveç aktiviteteve në terren, shoqata organizon çdo muaj ngjarje edukative, ligjërata dhe kongrese shkencore. Ndër aktivitetet më të rëndësishme të këtij viti veçohet Kongresi i 47-të Ndërkombëtar i Studentëve të Mjekësisë, ndërsa tashmë kanë filluar përgatitjet për edicionin e 48-të, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm.
Ky aktivitet përfaqëson një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet studentëve të mjekësisë, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve lokale, duke sjellë edukimin dhe shërbimet shëndetësore më pranë qytetarëve.
Falënderojmë Shoqatën e Studentëve të Mjekësisë – MMSA, ekipin e Klinikës së Endokrinologjisë, Komunën e Çairit dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe bashkëpunimin.
Early Action on Diabetes – Diagnostikimi i hershëm, trajtimi në kohë dhe edukimi janë hapa drejt një jete më të shëndetshme!








