Kompania energjetike HELLENiQ ENERGY planifikon të investojë mbi një miliard euro në Rumani deri në vitin 2030, me fokus në zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe sistemeve për ruajtjen e energjisë.
Programi investues u prezantua më 9 nëntor në Bukuresht, me rastin e fillimit zyrtar të punës së HELLENiQ Renewables Romania, degë e grupacionit HELLENiQ ENERGY.
Kompania synon të zhvillojë në Rumani një portofol me kapacitet prej 1.3 gigavatësh, duke e pozicionuar këtë vend si tregun e dytë më të rëndësishëm për zgjerimin e saj, pas Greqisë.
Aktualisht, HELLENiQ Renewables ka në zhvillim një portofol prej mbi 800 megavatësh nga burimet e rinovueshme dhe 500 megavatësh në sisteme baterike për ruajtjen e energjisë. Në këtë kuadër, katër parqe solare me kapacitet të përgjithshëm prej 211 megavatësh janë tashmë në funksion dhe sigurojnë energji elektrike të barasvlershme me konsumin e mbi 155 mijë amvisërive.
Ndërkohë, është duke u ndërtuar edhe një park me erë me kapacitet prej 96 megavatësh, në qarkun Galați, përfundimi i të cilit parashihet në tremujorin e dytë të vitit 2027.
Drejtori ekzekutiv i HELLENiQ ENERGY, Andreas Siamisis, vlerësoi se Rumania përbën një treg strategjik për planet afatgjata të kompanisë dhe zgjerimin e saj në Evropën Juglindore.
Investimet në Rumani janë pjesë e strategjisë Vision 2035+ të grupacionit, e cila synon rritjen e investimeve në energjinë e pastër, prodhimin dhe ruajtjen e energjisë elektrike.
HELLENiQ ENERGY ka aktualisht një portofol projektesh për energji të rinovueshme me kapacitet mbi 6 gigavatë, ndërsa mbi 800 megavatë janë tashmë në funksion në pesë shtete, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.
Në tregun maqedonas, strategjia e grupacionit realizohet përmes kompanisë OKTA, e cila së fundmi ka vënë në përdorim sistemet e para baterike për ruajtjen e energjisë, me kapacitet prej 4 megavatësh, të integruara me një central fotovoltaik prej 12 megavatësh.
Ndërkaq, deri në vitin 2030, HELLENiQ ENERGY synon që kapaciteti i instaluar nga burimet e rinovueshme të tejkalojë 2 gigavatë, ndërsa investimet e përgjithshme në këtë sektor dhe në sistemet e ruajtjes së energjisë pritet të kalojnë 2 miliardë euro./Ora24.tv








