Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mori pjesë në Forumin Ministror BE – Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, i cili u mbajt më 5 dhe 6 nëntor në Budva të Malit të Zi, në prani të ministrave nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të institucioneve dhe agjencive evropiane.
Në kuadër të forumit, Toshkovski mbajti dy fjalime kushtuar menaxhimit të migracionit dhe sigurisë kufitare, si dhe luftës kundër formave bashkëkohore të kriminalitetit në epokën digjitale.
Duke folur për sfidat migratore, Toshkovski theksoi rolin strategjik të Maqedonisë në rrugën ballkanike të migracionit dhe kontributin konkret të policisë maqedonase në mbrojtjen e sigurisë evropiane.
“Maqedonia nuk pret të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian për t’u sjellë me përgjegjësi ndaj sigurisë evropiane. Ne këtë përgjegjësi tashmë e marrim përsipër. E marrim përmes policisë sonë kufitare, përmes operacioneve të përbashkëta me Frontex-in, përmes luftës kundër rrjeteve të kontrabandës dhe përmes harmonizimit konkret me politikat evropiane”, theksoi Toshkovski.
Ai bëri të ditur se në dhjetë muajt e parë të vitit 2026 është regjistruar një rritje prej 29 për qind e tentativave për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror krahasuar me vitin paraprak. Në të njëjtën periudhë janë zbuluar 23 raste të kontrabandimit të gjithsej 144 migrantëve, ndërsa janë ndërmarrë masa për ndjekje penale ndaj 38 kryerësve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit me Frontex-in, operacioni i përbashkët i të cilit me policinë maqedonase, i nisur në kufirin jugor në vitin 2023, u zgjerua në muajin gusht edhe në kufirin verior, ndërsa përgatitjet për zgjerim edhe në kufirin perëndimor janë në fazën përfundimtare.
“Bashkëpunimi i suksesshëm me Frontex-in tregon se Maqedonia ka kapacitet dhe vullnet politik për të marrë përgjegjësi. Por njëkohësisht tregon se investimi në kapacitetet tona kufitare është investim i drejtpërdrejtë në sigurinë e përbashkët evropiane”, nënvizoi ministri, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejshme teknike, kadrovike dhe financiare nga Bashkimi Evropian.
Në fjalimin e tij, Toshkovski u ndal edhe te përparimi në harmonizimin me politikat evropiane për migracionin dhe azilin, veçanërisht në fushën e politikës së vizave, ku Maqedonia ka arritur pothuajse harmonizim të plotë me listën evropiane të shteteve, shtetasit e të cilave i nënshtrohen regjimit të vizave.
Në fjalimin e dytë, kushtuar kriminalitetit në epokën digjitale, ministri paralajmëroi për sfidat në rritje që lidhen me krimin kibernetik, mashtrimet online, keqpërdorimin e kriptovalutave dhe inteligjencës artificiale për qëllime kriminale.
“Kriminaliteti tashmë funksionon pa kufij. Përgjigjja jonë duhet të jetë po aq e ndërlidhur, e shpejtë dhe efikase”, porositi Toshkovski.
Ai veçoi edhe formimin e Departamentit të ri të specializuar për hetimin e keqpërdorimeve të fëmijëve në internet dhe hetime nga burime të hapura në kuadër të MPB-së, me kompetencë në nivel kombëtar, si hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual në hapësirën digjitale.
Ministri bëri thirrje për integrim më të fuqishëm operacional të vendeve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmat evropianë për luftën kundër kriminalitetit, shkëmbim më të shpejtë të informacioneve dhe provave elektronike, si dhe investime më të mëdha në forenzikën digjitale, mjetet e avancuara analitike dhe zbatimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në punën policore.
“Suksesi ynë i përbashkët nuk duhet të matet vetëm përmes numrit të projekteve apo trajnimeve të realizuara, por përmes numrit të viktimave të mbrojtura, hetimeve të përbashkëta të suksesshme, rrjeteve kriminale të shkatërruara, provave elektronike të siguruara me kohë dhe mjeteve të përfituara në mënyrë të paligjshme që janë konfiskuar”, theksoi Toshkovski.
Në margjinat e forumit, ministri zhvilloi edhe një takim bilateral me drejtoreshën ekzekutive të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azil (EUAA), Nina Gregori.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë, mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tij, si dhe mbështetjen në procesin e harmonizimit të legjislacionit kombëtar dhe praktikave institucionale me standardet evropiane në fushën e azilit dhe mbrojtjes ndërkombëtare.
Theks i veçantë u vu në forcimin e kapaciteteve administrative dhe operative, shkëmbimin e ekspertizës dhe vazhdimin e aktiviteteve të përbashkëta që synojnë krijimin e një sistemi më efikas dhe funksional të azilit.
Pjesëmarrja e Toshkovskit në forumin e Budvës ishte mundësi për promovimin e rezultateve konkrete të policisë maqedonase, avancimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane dhe konfirmimin e rolit të Maqedonisë si partner aktiv në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.








