Ministria e Mbrojtjes i përgjigjet BDI-së për mungesën e kadetëve shqiptarë në Akademinë Ushtarake

Advertisement

-Në konkursin për pranimin e 29 kadetëve në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihailo Apostollski” janë paraqitur gjithsej 99 kandidatë, prej të cilëve 46 i kanë plotësuar kriteret e përzgjedhjes. Nga numri i përgjithshëm i aplikantëve, dy ishin shqiptarë, një rom, një vllah dhe 95 maqedonas, bëjnë të ditur nga Ministria e Mbrojtjes në reagimin ndaj komunikatës së sotme të BDI-së.

Sa u përket dy kandidatëve shqiptarë, nga Ministria sqarojnë se njëri është tërhequr nga procedura, ndërsa tjetri, sipas listës së rangimit, është renditur në vendin e 43-të. Ministria reagon ndaj, siç i cilëson, akuzave populiste dhe të pabazuara të një partie me përcaktim etnik, duke vlerësuar se ato nxisin jotolerancë ndëretnike, në vend që të paraqesin faktet në mënyrë të arsyeshme.

“Që të ekzistojë dhe të vlerësohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, është e nevojshme që qytetarët e përkatësisë përkatëse etnike të aplikojnë në konkurset publike dhe transparente për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake. Njëkohësisht, nuk do të heqim dorë nga parimi që në Armatë të pranohen më të mirët ndër më të mirët, sepse bëhet fjalë për kuadër që është përgjegjës për atë që është më e rëndësishmja për të gjithë ne – sigurinë e shtetit dhe qytetarëve”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

 

 

Nga Ministria e Mbrojtjes theksojnë se e gjithë procedura është transparente, duke filluar nga publikimi i konkursit në dy gazeta ditore, në gjuhën maqedonase dhe shqipe, publikimi në ueb-faqen e Ministrisë, dërgimi i njoftimeve për mediat, si dhe publikimet në rrjetet sociale të Ministrisë dhe Akademisë Ushtarake.

Në reagim theksohet se Ministria do të vazhdojë t’i kushtojë rëndësi të madhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, të cilin e vlerëson si një përfitim për mbrojtjen dhe Armatën.

 

 

“Vlerësimi i punës së çdo profesionisti në Armatë është i dukshëm nga pozita më e ulët deri te ajo më e larta, përfshirë edhe pozitën e zëvendësshefit të Shtatmadhorisë së Armatës”, thuhet në reagim.

Lista preliminare dhe ajo përfundimtare e rangimit janë publikuar në ueb-faqen e Akademisë Ushtarake.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit