Analisti Ramadan Ramadani, në emisionin “N’Podium” me Mefo Ismailin, ka komentuar protestat e fundit në Shqipëri, duke vlerësuar se ato nuk janë shpërthim spontan i pakënaqësisë, por rezultat i një kundërshtimi shoqëror që është ndërtuar për muaj të tërë.
Sipas Ramadanit, protestat paqësore që zgjatën rreth 140 ditë, Revolucioni Flamingo dhe kërkesat e studentëve përbëjnë një lëvizje me kërkesa të qarta politike. Ai theksoi se bashkërendimi i këtyre grupeve mund ta kthejë pakënaqësinë qytetare në presion konkret politik ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Koha më e mirë për të dhënë dorëheqje e ka pasur dje, veç mos sot është vonë”, u shpreh Ramadani, duke argumentuar se Rama ndodhet në fazën e fundit të qëndrimit të tij politik.
Duke folur për dhunën gjatë protestave, analisti përmendi rastet e pretenduara të dhunës policore ndaj qytetarëve si një nga faktorët që kanë nxitur reagimin, ndërsa ngriti pikëpyetje edhe për sulmet ndaj disa bizneseve të vogla.
Ramadani vlerësoi se ndryshimi politik në Shqipëri duhet të vijë përmes votës dhe institucioneve demokratike, duke theksuar se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës nuk kanë nevojë të përfshihen drejtpërdrejt në përplasjet në Shqipëri.
Ai u shpreh gjithashtu se partitë e vogla opozitare mund të luajnë rol të rëndësishëm në artikulimin e kërkesave të protestuesve dhe në përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve, duke paralajmëruar kundër përqendrimit të gjithë procesit politik te një parti e vetme opozitare.
Sa i përket faktorit ndërkombëtar, Ramadani pret që zhvillimet në Shqipëri të vënë në fokus rolin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në forcimin e institucioneve të pavarura, si SPAK-u./Ora24.tv








