Rëndësia e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) si një faktor i rëndësishëm në përfaqësimin e interesave të komunitetit të biznesit, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal, u theksua në takimin e sotëm mes kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, dhe kryetarit të sapozgjedhur të Odës, Sami Morina.
Në takim, siç njoftoi Komuna e Strugës, morën pjesë edhe bashkëkryetarët e OEMVP-së, Nuhu Aliu, Qanije Selimi, Resul Hani dhe Adem Agai, drejtori ekzekutiv Durim Zekiri, si dhe menaxherja operative, Miranda Ajdini.
“Takimi u zhvillua në frymën e dialogut të hapur dhe shkëmbimit të mendimeve për mundësitë e bashkëpunimit mes Komunës së Strugës dhe OEMVP-së, me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik lokal, mbështetjen e sektorit privat dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime dhe zhvillimin e bizneseve”, thuhet në njoftim.
Komuna e Strugës, siç theksohet, mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit me institucionet dhe organizatat ekonomike, me qëllim krijimin e një mjedisi të favorshëm për biznesin, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e ekonomisë lokale në interes të qytetarëve.








