Seanca plenare e Kuvendit, e parashikuar të zhvillohej sot në orën 10:00, është anuluar.
Në rendin e ditës së seancës ishin parashikuar disa interpelanca me ministra, shqyrtimi i projektligjeve dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Mes çështjeve që pritej të diskutoheshin ishte edhe interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, si dhe interpelancat me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Ndërkohë, jashtë godinës së Kuvendit pritej të mblidheshin studentë dhe qytetarë, në vijim të protestave që kanë vijuar prej dy ditësh në Tiranë.








