Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Velkovski, përuroi sot çerdhen e re në Përshevcë, me kapacitet për 147 fëmijë.
Memishi bëri të ditur se për ndërtimin dhe pajisjen e objektit janë investuar 808 mijë euro, pjesa më e madhe e të cilave janë siguruar nga Bashkimi Evropian. Çerdhja është moderne dhe energjetikisht efikase, ndërsa me hapjen e saj pritet të zgjidhet edhe problemi i listës së pritjes për fëmijët në këtë zonë.
“Erdhi edhe kjo ditë që, pas shumë vitesh pritjeje dhe procedurash, çerdhja e re të vihet në funksion. Ky është vendi ku do të rriten fëmijët tanë, ku do të hedhin hapat e parë drejt dijes dhe do të krijojnë miqësitë e para”, deklaroi Memishi.
Kryeministri Mickoski vlerësoi angazhimin e kryetarit të Tearcës, duke theksuar se Memishi kishte trashëguar shumë probleme në komunë dhe se, sipas tij, me punë të përkushtuar po i zgjidh ato. Ai paralajmëroi vazhdimin e mbështetjes së Qeverisë për projektet komunale.
Çerdhja e re në Përshevcë ka 12 të punësuar, ndërsa ministri Velkovski njoftoi se deri në fund të vitit 2028 planifikohet përfundimi i 37 çerdheve të tjera në vend.






