Në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës është mbajtur një tubim në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e tyre.
Të pranishmit e cilësuan vendimin si të padrejtë dhe shprehën mbështetje për ish-drejtuesit e UÇK-së. Në tubim morën pjesë edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, veteranë të UÇK-së, studentë të udhëhequr nga drejtuesi i lëvizjes studentore, Mevlan Ademi, përfaqësues të BDI-së dhe banorë të zonës.
Gjatë fjalimeve u theksua rëndësia që pjesëmarrësit i japin luftës së UÇK-së, ndërsa u kërkua që proceset gjyqësore të bazohen në fakte dhe prova.
Sllupçani njihet edhe për rolin e tij gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni. Në këtë zonë ishin vendosur disa prej pozicioneve të UÇK-së, ndërsa në dalje të fshatit ishte shpallur zona e lirë e saj.






