Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka thënë se kërkesa e studentëve për rritjen e vlerës së ushqimit studentor nga 140 në 200 denarë është ende duke u shqyrtuar.
Duke folur në emisionin “Në Podium” në Ora24 TV, Sulejmani tha se aktualisht nuk ka vendim përfundimtar, pasi një rritje e tillë kërkon sigurimin e mjeteve shtesë nga buxheti i shtetit.
Sipas tij, Ministria e Arsimit e konsideron të arsyeshme kërkesën e studentëve, veçanërisht duke pasur parasysh rritjen e çmimeve të produkteve.
“Edhe nëse gjejmë zgjidhje, kjo duhet të mbulohet financiarisht nga buxheti i shtetit”, tha Sulejmani.
Ai shtoi se pret një rezultat pozitiv për këtë çështje, por theksoi se kërkesa për rritjen nga 140 në 200 denarë vazhdon të jetë pjesë e diskutimeve dhe analizave.
Për momentin, vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.






