Qyra në Hagë: Struga synon të tërheqë sërish turistët nga Holanda, në fokus edhe fëmijët me nevoja të veçanta

Advertisement

Gjatë qëndrimit në Holandë, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, i shoqëruar nga themeluesi i Fondacionit CDFK Struga, Ergin Borova, ka vizituar Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Hagë, ku është pritur nga ambasadorja Linda Salioska.

Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit dhe promovimi i Strugës në Holandë, me theks të veçantë në zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e mbështetjes për fëmijët me nevoja të veçanta.

Një nga temat kryesore ishte rikthimi i Strugës në vëmendjen e turistëve holandezë. Gjatë takimit u diskutua për mundësi të reja për promovimin e potencialeve turistike të Strugës dhe rajonit të Liqenit të Ohrit, si dhe për krijimin e lidhjeve më të qëndrueshme me operatorët turistikë dhe partnerët në Holandë.

Në takim u diskutua gjithashtu për mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira nga Holanda. Në këtë drejtim, u shqyrtuan edhe mundësitë që programet dhe përvojat holandeze të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të Qendrës Ditore për Fëmijë me Nevoja të Veçanta në Strugë.

Sipas Komunës së Strugës, takimi shërbeu si mundësi për të diskutuar hapa konkretë drejt partneriteteve të reja, me synim zhvillimin e turizmit, avancimin e përfshirjes sociale dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Strugës.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit