Një shtetase e Maqedonisë së Veriut, me inicialet S. L., akuzohet nga autoritetet amerikane se ka votuar në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet federale të SHBA-së në nëntor të vitit 2024.
Aktakuza është ngritur më 30 shtator, ndërsa rasti u bë publik më 1 tetor nga Zyra e Prokurorit amerikan për Distriktin Lindor të Viskonsinit.
Sipas akuzës, S. L., e cila ka lindur në Maqedoni dhe nuk është shtetase amerikane, është regjistruar si votuese më 5 nëntor 2024 në qytetin Sheboygan të Viskonsinit dhe ka marrë pjesë në zgjedhjet federale.
Prokuroria pretendon se gjatë regjistrimit ajo ka nënshkruar një formular ku ka deklaruar se është shtetase e SHBA-së. Më vonë, gjatë një interviste me një zyrtar federal, ajo dyshohet se ka pranuar se ishte regjistruar dhe kishte votuar në atë ditë.
Sipas dokumenteve të gjykatës së emigracionit, S. L. ishte ndaluar më 13 gusht të këtij viti gjatë përpjekjes për të hyrë sërish në SHBA. Në shtator, asaj i është lejuar të largohet vullnetarisht drejt Maqedonisë së Veriut.
Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se, nëse ajo përpiqet të hyjë përsëri në SHBA, do të arrestohet.
Departamenti amerikan i Drejtësisë thekson se bëhet fjalë për akuza dhe se ato nuk përbëjnë dëshmi të fajësisë. S. L. konsiderohet e pafajshme derisa fajësia e saj të vërtetohet në gjykatë.






