Ndryshimet e propozuara ligjore për pushimin mjekësor kanë shkaktuar debat mes opozitës dhe autoriteteve shëndetësore. Sipas autoriteteve, ndryshimet synojnë të parandalojnë keqpërdorimet, ndërsa LSDM-ja vlerëson se nuk janë marrë parasysh nevojat reale të qytetarëve.
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, kritikoi veçanërisht propozimin që pushimi mjekësor pa kontroll shtesë të shkurtohet nga shtatë në pesë ditë.
“Puna e parë, shkurtoje pushimin mjekësor, nga 7 në 5 ditë. Jo rastësisht penjtë nga një ndërhyrje kirurgjikale hiqen në ditën e shtatë”, deklaroi Filipçe.
Nga ana tjetër, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se procesi është ende në zhvillim dhe se ekziston hapësirë për diskutim dhe sqarimin e të gjitha çështjeve të hapura.
“Ne jemi të hapur që t’i qartësojmë të gjitha dilemat, të ulemi t’i shqyrtojmë gjërat”, tha Klekovski, duke theksuar se përgjegjësia për këtë çështje i takon Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
Ndërkohë, inspektori i së drejtës së punës, Amir Imeri, tha në emisionin “Gjurmët” në Alsat se keqpërdorimi i pushimit mjekësor mund të përbëjë vepër penale. Sipas tij, Kodi Penal parashikon dënim deri në një vit burg për keqpërdorimin e sigurimeve sociale dhe shëndetësore.
Ndryshimet e paralajmëruara parashikojnë që pushimi mjekësor, pa kontroll shtesë, të mund të zgjasë deri në pesë ditë, në vend të shtatë ditëve sa është aktualisht.






